top of page

“Travel Off Path”: Vizitoni Linin, fshatin më të vjetër liqenor në Evropë dhe vend të Trashëgimisë Botërore

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 3 hours ago
  • 4 min read

Me rritjen e numrit të turistëve këtë verë në Rivierën Shqiptare dhe hapjen e shumëpritur të aeroportit të ri në Vlorë, Shqipëria po përjeton një Rilindje Turistike shumë të merituar, shkruan Vinicius Costa në një artikull të botuar në “Travel Off Path”.


Megjithatë, jo të gjitha vendet sekrete të Shqipërisë janë zbuluar nga pjesa më e madhe e vizitorëve – dhe pa dyshim që vendit të bukur ballkanik këto nuk i mungojnë!


Vizitorët e rregullt nuk janë të vetmit që sapo kanë filluar të njihen me Shqipërinë, UNESCO po bën gjithashtu disa përpjekje për të zbuluar vende të rëndësishme të trashëgimisë.


Pavarësisht se në Shqipëri ndodhen disa nga qytetet mesjetare më të ruajtura në Evropë dhe shumë vende arkeologjike mbresëlënëse, ajo ka vetëm katër Vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.


Megjithatë, duke filluar nga viti 2025, një vend i pestë është shtuar në listë: Lini.

Zbuloni Linin, një nga fshatrat më të vjetër në Evropë.


Nëse jeni në kërkim të vendeve evropiane vërtet të paprekura që kanë mbetur plotësisht të mbrojtura nga turizmi masiv, mos humbisni Linin në vitin 2026.


Fshati i vogël në Shqipëri, në brigjet e Liqenit të Ohrit, ka një histori interesante që shtrihet mijëra vjet më parë, me taverna familjare që shërbejnë ushqim të përballueshëm, një shëtitore piktoreske me pamje nga ujërat e kristalta.


Fshati i Linit, i mbrojtur nga UNESCO, është baza perfekte për të eksploruar një nga liqenet më të vjetra të Evropës.


Nëse emri Ohër ju duket i njohur, kjo ndoshta sepse e keni lexuar në ndonjë artikull tjetër të “Travel Off Path” mbi qytetin turistik në zhvillim e sipër të Ohrit, i cili ndodhet në pjesën jug-perëndimore të Maqedonisë së Veriut pranë liqenit me të njëjtin emër.


Ndërsa Ohri ka filluar të ketë një rritje të shpejtë të numrit të turistëve vitet e fundit, kryesisht, për shkak të marketingut dhe promovimit viral si TikTok, Lini ka mbetur praktikisht i paprekur.

Admironi sharmin e Botës së Vjetër


Është një nga vendbanimet më të vjetra të banuara në Evropë, me mbetje arkeologjike që tregojnë një datë themelimi në shekullin VI para Krishtit. Prandaj, nuk është çudi që UNESCO i ka vënë syrin këtij fshati relativisht të panjohur.


Lini ka një popullsi prej rreth 1,680 banorësh, me 296 familje të numëruara në fillim të viteve 2000.


Tani, zyrtarisht një “Ansambël Arkitektonik Urban” Lini është shtuar në listën e Vendeve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s ku përfshihet edhe Liqeni i Ohrit.


Lini karakterizohet nga rrugica me kalldrëm, arkitekturë të ruajtur, me shtëpi me mure të trasha të mbuluara me çati dhe ballkone druri me detaje të gdhendura.


Shtëpitë këtu zakonisht kanë oborre të mbyllura, ku rritet hardhia ose fiku, dhe ndoshta nga këtu vjen vera që shërbehet në tavernën lokale.


Pse është një lajm i shkëlqyer për Shqipërinë në tërësi?


Shpallja e Linit si një Vend i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO nuk mund të kishte ardhur në një kohë më të mirë, pasi Shqipëria po përjeton një rritje të popullaritetit midis turistëve.

Midis veçantisë dhe ndjesisë së gjallë të kryeqytetit kombëtar, Tirana, dhe sharmit historik të qyteteve më të vogla si Berati dhe Gjirokastra, Shqipëria nuk ka qenë kurrë aq në trend sa është tani. Është koha që Lini të marrë meritat që i takojnë.


Shqipëria gjithashtu ka luftuar historikisht me mirëmbajtjen e trashëgimisë së saj kombëtare.

Klasifikimi i Linit si një Vend i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO-s – do të ndihmojë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të fshatit.

Çfarë duhet të shihni në Lin?


Përveç shtëpive piktoreske dhe mjedisit magjepsës, në një gadishull të ngushtë që del në Liqenin e Ohrit, vendi më i shquar i Linit është Bazilika e Krishterimit të Hershëm.


E ndërtuar në shekullin VI pas Krishtit, kisha e lashtë ka mozaikë të bukur dyshemeje, në një gjendje të jashtëzakonshme ruajtjeje dhe është dëshmi e gjallë e rolit të hershëm të Linit si një qendër besimi në periudhën bizantine.


Rreth 1% e vendbanimit të vjetër të Linit është gërmuar, kështu që ndërsa UNESCO merr frenat, presim që shumë shtresa të tjera të zbulohen në vitet në vijim.


Ndërkohë, ju mund të shëtisni në rrugët me një bukuri autentike ballkanike, të notoni në liqen dhe të provoni kuzhinën lokale në një ose dy taverna.


Një shtëpi mysafirësh dhe një restorant në breg të liqenit, shërbejnë porcione të bollshme peshku liqeni të pjekur në skarë me limon dhe ullinj – një specialitet i Ohrit – dhe verë të bërë në shtëpi me një çmim prej afërsisht 14–19 dollarë për një pjatë kryesore me një pije.


Eksploroni Liqenin e Ohrit


Lini është gjithashtu baza perfekte për të eksploruar Liqenin e Ohrit, një nga liqenet më të vjetra dhe më të thella në kontinentin evropian.


Ai ndahet nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, dhe ofron një pamje të pabesueshme në të dyja anët e kufirit.


Në Shqipëri, Pogradeci është qyteti kryesor, vetëm 25 minuta larg me makinë nga Lini.


Në Pogradec mund të bëni nje shëtitje të këndshme buzë liqenit, të uleni në një nga kafenetë apo restorantet komode të specializuara në troftën lokale të koranit.


Më sipër, ndodhet Kalaja e rrënuar e Pogradecit – e cila ofron pamje marramendëse të liqenit.


Ohri, qyteti nga i cili mban emrin vetë liqeni, është quajtur “Jerusalemi i Ballkanit”, për shkak të mbi 300 kishave, rrënojave romake dhe bizantine dhe joshjes së Botës së Vjetër, ai qëndron si perla e padiskutueshme e liqenit.


Ohri është qendra e zonës së mbrojtur nga UNESCO, që mund të arrihet lehtësisht nga Lini duke udhëtuar me makinë përgjatë brigjeve të Liqenit të Ohrit drejt Maqedonisë së Veriut.


Nëse nuk ka rradhë në kufi, mund të arrini në destinacionin tuaj në më pak se 50 minuta./ Oranews

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page