Tre korçarë përfundojnë në pranga, u kapën duke transportuar 9 emigrantë
Tre persona, të moshave 21, 23 dhe 25 vjeç, janë arrestuar nga Policia në Elbasan, pasi u kapën duke transportuar 9 emigrantë nga vendet e treta me dy automjete.
Operacioni policor, i koduar “Tranzit 4”, u zhvillua në orët e para të mëngjesit, pas administrimit të informacioneve për një rast të dyshuar të transportimit të paligjshëm të emigrantëve kundrejt fitimit.
Sipas Policisë, në pranga ranë shtetasit me inicialet A. D., 25 vjeç, M. T., 21 vjeç dhe K. N., 23 vjeç, të tre banues në Korçë.
Ata u kapën në flagrancë duke transportuar me dy automjete 9 shtetas të huaj, të cilët dyshohet se kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri përmes kufirit të gjelbër në zonën e Korçës.
Sipas hetimeve paraprake, emigrantët do të transportoheshin në drejtim të pikave të kalimit kufitar të Hanit të Hotit dhe Morinës.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale dy automjetet e përdorura për transportin e emigrantëve, si dhe pesë aparate celulare.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rrjet të dyshuar të transportimit të paligjshëm të emigrantëve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim.
“KORÇA BOOM”
















