top of page

Tronditet Devolli/ Masa sigurie për zyrtarë të policisë

  • 2 days ago
  • 1 min read

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka dalë me një deklaratë zyrtare lidhur me hetimet ndaj disa zyrtarëve të policisë dhe institucioneve vendore në Devoll, duke bërë me dije se janë ekzekutuar masa sigurimi ndaj tre personave të dyshuar për veprën penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim.


Mes personave ndaj të cilëve janë vendosur masa sigurimi është edhe Glodian Gëzim Ahmetaj, i cili në kohën e kryerjes së veprës penale mbante detyrën e drejtorit në Drejtorinë Rajonale Elbasan-Korçë. Sipas AMP-së, ai dyshohet të jetë përfshirë në aktivitetin e paligjshëm që po hetohet nga Prokuroria e Elbasanit.


Sipas njoftimit zyrtar, AMP ka finalizuar me sukses një tjetër operacion hetimor në kuadër të procedimit penal nr. 238 të vitit 2026, të drejtuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.


Në zbatim të vendimit të gjykatës, janë ekzekutuar masat e sigurimit personal ndaj tre shtetasve të dyshuar.


Masat e sigurisë të vendosura janë si më poshtë:


▪️ Për Glodian Gëzim Ahmetaj është vendosur masa “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Paraqitja në Policinë Gjyqësore”.


▪️ Për Devis Ramadan Ago, në kohën e kryerjes së veprës penale shef sektori në Drejtorinë Rajonale Elbasan-Korçë, është vendosur masa “Paraqitja në Policinë Gjyqësore”.


▪️ Për Klevis Ramadan Hoxha, me detyrë shef i Policisë Bashkiake pranë Bashkisë Devoll, janë vendosur masat “Paraqitja në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.


Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin e plotë të kësaj çështjeje.

“KORÇA BOOM”


bottom of page