TRONDITËSE/ (EMRI) Tentoi të vr*ste nënën e bashkëjetueses, arrestohet 28-vjeçari
- 2 hours ago
- 1 min read
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Lezhë, ku një 28-vjeçar dyshohet se ka tentuar të vrasë nënën e bashkëjetueses së tij, duke e përplasur me automjet.
Sipas informacioneve paraprake, e dëmtuara ka mbetur e plagosur dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Pas ngjarjes, autori i dyshuar, shtetasi Cuf Behi, 28 vjeç, është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, por është arrestuar pak më vonë nga uniformat blu.
Policia bën me dije se nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se rreth orës 02:05, në lagjen “Skënderbeg” në Lezhë, 28-vjeçari, banues në Tiranë, kishte shkuar me automjet për të marrë bashkëjetuesen e tij.
Në atë moment kanë dalë familjarët e vajzës dhe, për motive që lidhen me marrëdhëniet familjare, i riu dyshohet se ka përplasur me automjet nënën e bashkëjetueses, shtetasen K.H., 43 vjeçe, duke i shkaktuar dëmtime trupore.
Menjëherë pas ngjarjes, ai është larguar nga vendi, ndërsa Policia ka nisur një operacion intensiv për kapjen e tij.
“Si rezultat i reagimit të shpejtë dhe veprimeve intensive të Policisë, në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Reagimi’, u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi C.B., 28 vjeç, për veprën penale ‘Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare’, mbetur në tentativë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar edhe automjetin e përdorur në këtë ngjarje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme hetimore.
"KORÇA BOOM"
















