"Trupi i djalit tim nuk u varros kurrë”/ Akuza që tronditi...
- 9 hours ago
- 2 min read
Për më shumë se katër dekada, Lydia Reid jetoi me dhimbjen e humbjes së djalit të saj të porsalindur, Garry, i cili sipas dokumenteve zyrtare kishte ndërruar jetë në vitin 1975 në një spital të Edinburgut. Por ajo që zbuloi pas 42 vitesh kërkimesh dhe dyshimesh të vazhdueshme do të trondiste jo vetëm jetën e saj, por edhe mbarë opinionin publik në Skoci.
E bindur se diçka nuk shkonte me historinë e vdekjes së djalit të saj, Lydia vendosi të ndërmarrë një hap të guximshëm: Zhvarrosjen e varrit të Garryt. Kur arkivoli u hap, ajo u përball me një skenë rrëqethëse,brenda tij nuk kishte asnjë trup. Arkivoli ishte bosh.
Zbulimi riktheu kujtimet e errëta të vitit 1975, kur Lydia ndodhej në spitalin “Sick Kids” të Edinburgut. Ajo kishte kërkuar të shihte për herë të fundit djalin e saj, por foshnja që iu tregua nuk i ngjante aspak Garryt. Kur shprehu dyshimet e saj, personeli mjekësor ia atribuoi reagimin “depresionit pas lindjes”, duke sugjeruar se ajo nuk ishte në gjendje të mendonte qartë.
Për vite me radhë, Lydia nuk reshti së kërkuari të vërtetën. Pas hetimeve dhe protestave të shumta, ajo arriti në një përfundim të dhimbshëm: trupi i djalit të saj mund të mos jetë varrosur kurrë. Sipas saj, organet e Garryt mund të jenë marrë dhe përdorur pa pëlqimin e familjes.
“Në fund të kësaj historie ka një shpjegim logjik, që askush nuk do ta dëgjojë. Trupi i djalit tim nuk është vendosur kurrë në arkivol, sepse atij i kanë marrë organet”, deklaroi Lydia Reid.
Rasti i saj lidhet me një nga skandalet më të mëdha mjekësore në Britani, ku mijëra organe dhe inde fëmijësh u mbajtën nga spitalet pa dijeninë apo lejen e prindërve. Megjithatë, edhe sot, misteri mbi fatin e trupit të Garryt mbetet pa përgjigje.
“KORÇA BOOM”













