top of page

Të hënën, më 23 shkurt, fillon plotësisht Kreshma e Madhe e Pashkës/ Kreshmë të mbarë!

  • 2 hours ago
  • 2 min read

𝐅𝐈𝐋𝐋𝐎𝐉𝐌𝐄̈ 𝐊𝐑𝐄𝐒𝐇𝐌𝐄̈𝐍 𝐄 𝐌𝐀𝐃𝐇𝐄 𝐓𝐄̈ 𝐏𝐀𝐒𝐇𝐊𝐄̈𝐒

(23 SHKURT - 12 PRILL)


Të hënën, më 23 shkurt, fillojmë plotësisht Kreshmën e Madhe të Pashkës, e cila sivjet do të zgjasë deri më 12 prill, në të kremten e Ngjalljes së Krishtit.


Kreshma e madhe e Pashkës është një kreshmë e veçantë me karakter të thellë pendimi, si periudhë parapërgatitore për kremtimin e Pashkës.


Përpara kësaj përpjekjeje shpirtërore, vetë Krishti vendosi si parakusht ndjesën (faljen) ndaj tjetrit, ndaj kujtdo, kujtdo që na ka padrejtësuar apo e kemi padrejtësuar: "Sepse nëse ju, ua falni njerëzve fajet e tyre, Ati juaj qiellor do t’ju falë juve; por nëse ju nuk ua falni njerëzve fajet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t’ju falë juve fajet tuaja (Mattheu 6:14-18).


Kreshma është bashkëpunim i shpirtërores dhe trupores në adhurimin e Perëndisë së gjallë. Duke agjeruar e duke kreshmuar me disa ushqime dhe nga ana tjetër duke kreshmuar nga mëkatet, ndihmojmë të gjithë njeriun, trup e shpirt, të afrohet e të adhurojë Perëndinë.


𝐔𝐒𝐇𝐐𝐈𝐌𝐄 𝐐𝐄 𝐇𝐀𝐇𝐄𝐍 𝐆𝐉𝐀𝐓𝐄 𝐊𝐑𝐄𝐒𝐇𝐌𝐄𝐒:


* NUK LEJOHET përdorimi i çdo ushqimi me bazë shtazore.


Pra nuk lejohet konsumimi i mishit dhe i produkteve të tij, as i peshkut (peshku lejohet vetëm në dt. 25 mars, në të kremten e Ungjillëzimit të Hyjlindëses Mari; dhe të Dielën e Dafinave - sivjet më 5 prill).


* Nuk lejohen prodhimet e bulmetit, djathit të çdo lloji, gjalpit, kosit, qumështit, vezës etj.


* Ndalohet konsumimi i alkoolit, duhanit dhe veset e tjera apo zakonet e dëmshme.


- LEJOHET konsumimi i perimeve e zarzavateve të ndryshme, si p.sh. fasule, thjerza, oriz, patate, domate, qepë, karrota, patëllxhanë, bizele, ullinj, lakër, lulelakër, tranguj, kungull, spec, bamje, panxhar, rrepa, grurë, misër, qiqrra, hudhër, kërpudha, spinaq, brokoli, sallatë jeshile, rukola, etj. etj. etj. si edhe i turshive të tyre.


- Lejohet konsumimi i frutave të thata: arra, bajame, lajthi, kikirikë, fara, susam, rrush, fik i thatë etj. etj.


- Lejohet konsumi i brumërave si makarona (pa vezë), byrek të ndryshëm (me perime të ndryshme).


- Gjithashtu lejohet konsumimi i yndyrnave të ndryshme me bazë bimore si p.sh. vaj ulliri, luledielli etj. përpunime të tyre si ato të margarinës e vitamit (shikoni përmbajtjen).

- Lejohet konsumimi i frutave të detit, si p.sh. midhje, kallamar, sepje, oktapod, karkaleca etj..


- Në këtë kuadër prodhimesh lejohen edhe produktet e ëmbla (pa bulmet e pa vezë) por edhe produkte si p.sh. reçel, marmelatë, mjalt, hallvë, biskota kreshmore (lexoni paketimin), kakao, sheqer, tahini etj. Gjithashtu edhe për gatim lejohet kakao, soda e bukës, vanilje, miell, maja etj.


KESHILLIM


Vaji (çdo lloj vaji bimor: ulliri, luledielli etj.), privimi i pjesshëm i vajit, varet nga udhёzimet e atit shpirtёror (që rrëfehen), i cili edhe jep një program ushtrimor shpirtëror e ushqimor sipas mundësisë dhe gjendjes së shëndetit të gjithsecilit.

Kujtojmë se Kreshma ka si qëllim ushtrimin shpirtëror dhe trupor, përpjekje e luftë ndaj pasioneve e dëshirave shpirtërore e trupore, përmirësimin dhe pësosjen e personit tonë dhe jo të dëmtojmë trupin, i cili është edhe Tempull i Shpirtit të Shenjtë.


Kreshmë të mbarë!

“KORÇA BOOM”



bottom of page