U aksidentua me motor në Greqi, humb jetën në spital 17-vjeçari shqiptar!
- 1 hour ago
- 2 min read
Një 17-vjeçar shqiptar, i cili ishte plagosur rëndë në kokë gjatë një aksidenti me motoçikletë në Rodos të Greqisë, ka ndërruar jetë tetë muaj pas ngjarjes tragjike.
Pas gjashtë muajsh trajtim në spital dhe dy muajsh të tjerë në një qendër rehabilitimi, i riu humbi betejën për jetën. Trupi i tij është transportuar në Shqipëri, ku do të zhvillohen ceremonitë mortore.
Ngjarja, e cila ndodhi në fund të tetorit të vitit të kaluar dhe mbajti një familje të tërë në ankth për muaj me radhë, pati një përfundim tragjik.
17-vjeçari ishte plagosur rëndë në një përplasje të fortë mes dy motoçikletave dhe luftoi për muaj të tërë për të mbijetuar, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.
Aksidenti ndodhi pasditen e së mërkurës, më 29 tetor 2025, pranë një institucioni universitar në Rodos, kur dy motoçikleta u përplasën me forcë. Për shkak të përplasjes së rëndë, u mobilizua menjëherë Qendra Kombëtare e Emergjencave.
Një ambulancë e EKAB mbërriti në vendngjarje dhe transportoi dy të plagosurit në spital për ndihmë mjekësore. Gjendja e 17-vjeçarit u vlerësua që në momentet e para si tepër kritike, pasi ai kishte pësuar dëmtime të rënda në kokë.
Mjekët nisën menjëherë përpjekjet për ta mbajtur në jetë, ndërsa qëndrimi i tij në spital rezultoi i gjatë dhe i vështirë.
Sipas informacioneve nga “Demokratiki”, 17-vjeçari qëndroi i shtruar në spital për afërsisht 6 muaj, me lëndimet në kokë që përcaktuan rrjedhën e gjendjes së tij.
Më pas ai u transferua në një qendër rehabilitimi në Larisa, ku qëndroi edhe dy muaj të tjerë. Familjarët vazhduan të shpresonin për një përmirësim të gjendjes së tij, por pavarësisht kujdesit të vazhdueshëm dhe përpjekjeve në dy institucione të ndryshme shëndetësore, i riu nuk arriti të rikuperohej, informon “Protothema”.
Beteja e tij e gjatë për jetën përfundoi në mënyrën më të dhimbshme, me 17-vjeçarin që iu nënshtrua plagëve të marra në aksident. Sipas raportimeve, babai i tij mori përsipër transportimin e trupit në Shqipëri, në mënyrë që ceremonia e varrimit të zhvillohej në vendlindje.
“KORÇA BOOM”
















