top of page

U dhunua për një “like” në Facebook, rrëfimi tronditës i emigrantit

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 6 hours ago
  • 2 min read

Altin Meçaj, banues në fshatin Vjosë dhe emigrant në Gjermani, ka rënë pre e një sulmi të dhunshëm mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00, pas një komenti të bërë në rrjetet sociale. Ngjarja dyshohet se lidhet me një “like” në Facebook, drejtuar një bashkëfshatareje të tij, e cila është motra e një punonjësi policie në zonë.


Meçaj ka rrëfyer momentet e tmerrit që ka përjetuar, duke kërkuar drejtësi dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. Sipas tij, pak para se të mbërrinte në shtëpi, teksa ndodhej në lokalin e fshatit, kishte marrë një mesazh kërcënues në “Messenger”, për shkak të një “like” që kishte bërë në profilin e motrës së një bashkëfshatari, i cili aktualisht shërben si komandant i forcave RENEA në Fier.


Rreth orës 23:00, sapo kishte hyrë në banesë, Meçaj tregon se dritat e shtëpisë së tij u fikën dhe ai u thirr me emër për të dalë jashtë. Duke menduar se ishte vëllai i tij, ai ka dalë në oborr, por aty është përballur me dhunë të menjëhershme. Sipas dëshmisë së tij, personi që e kishte kërcënuar më herët ndodhej pranë derës së shtëpisë dhe jo te porta e madhe e oborrit.


“Sa dola jashtë, më goditi direkt dhe më përsëriti të njëjtat fjalë që kishte shkruar në mesazh. Ishin të paktën tre persona. Më kanë goditur pa mëshirë derisa kam humbur ndjenjat. Nëse kam gabuar për një ‘like’ apo koment, ka edhe falje, por të arrijë puna deri këtu sa të përfundoj në spital, kjo është e pajustifikueshme,” ka deklaruar Meçaj.


Ai shton se gjatë konfliktit është dhunuar edhe babai i tij, i cili kishte dalë jashtë për ta ndihmuar. Sipas Meçajt, personi kryesor i përfshirë në ngjarje quhet Fredi Astrit Lamaj, me të cilin ai thotë se kishte pasur më parë marrëdhënie të mira dhe kishte punuar edhe në shtëpinë e familjes së tij.


Pas sulmit, Altin Meçaj është gjetur pa ndjenja dhe është transportuar me ambulancë drejt spitalit. Ai pohon se telefoni i tij celular është marrë nga autorët e dyshuar dhe ende nuk është gjetur, pavarësisht kërkimeve të policisë.


Ndërkohë, babai i tij, Ylli Meçaj, 80 vjeç, ka treguar se e ka gjetur të birin të shtrirë në tokë, të mbuluar me gjak dhe pa ndjenja. Ai thekson se familja e tyre nuk ka pasur kurrë më parë konflikte apo probleme me banorët e fshatit.


Ngjarja është denoncuar në polici dhe familja kërkon zbardhjen e plotë të saj, si dhe ndëshkimin e personave përgjegjës.

"KORCA BOOM"


bottom of page