U shoqërua gjatë natës, lirohet aktivistja Arvina Lleshi pas kallëzimit të deputetes
Aktivistja Arvina Lleshi është lënë e lirë këtë të mërkurë, disa orë pasi ishte shoqëruar në polici gjatë natës.
Shoqërimi i saj u bë pas kallëzimit të depozituar nga deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi.
Sipas informacioneve të bëra publike, ngjarja që çoi në ndërhyrjen e policisë kishte ndodhur pranë Kuvendit. Deputetja Luarasi po kalonte në ambientet e një qendre tregtare, kur dyshohet se Lleshi e kishte ndjekur gjatë rrugës drejt institucionit.
Aktivistja i ishte drejtuar deputetes me akuza dhe e kishte quajtur “hajdute”.
Ndalimi i Lleshit shkaktoi reagime nga mbështetësit e saj. Disa prej tyre u grumbulluan përpara komisariatit ku ajo mbahej, duke kërkuar lirimin e saj.
Protestuesit e konsideruan të pajustifikuar veprimin e autoriteteve dhe pretenduan se policia kishte ndërhyrë në mbrojtje të qeverisë.
Ata qëndruan përpara ambienteve të komisariatit deri pas njoftimit për lirimin e aktivistes.
Arvina Lleshi u la e lirë disa orë pas shoqërimit, ndërsa mbetet për t’u sqaruar në vijim nëse ndaj saj do të ketë procedime të mëtejshme.
“KORÇA BOOM”
















