top of page

Zahiretë e gjyshes në tryеzat e turistëve, shijet që mbajnë gjallë traditën në Pogradec

2 minutes ago
2 min read

Kjo është Viola Muçllari, nga fshati Çeravë i Pogradecit. Prej ditësh ajo është e angazhuar me përgatitjen e zahireve për stinën e dimrit, duke ruajtur një traditë të trashëguar brez pas brezi në familjen e saj. Gatimet dhe mënyrat e përgatitjes së tyre, Viola thotë se i ka mësuar nga gjyshja dhe nëna.


“Petka, dromka ose rosnica. Trahana me kos, trahana me perime, reçelra, komposto. Të gjitha hapen me dorë, thahen në diell, por jo në kushtet e diellit që të mos zbardhen. Nga familjet tona, kur vinte korrik-gushti, përgatitej zahireja. Gjyshja ruante vezët e fshatit. Ruhet e trashëgohet. Të huajt janë kuriozë si ruhen, bëhen në mënyrë artizanale”, tha ajo.


Gatimet tradicionale tashmë nuk janë vetëm pjesë e tryezave familjare në zonat e juglindjes, veçanërisht në fshatrat malore. Ato po marrin gjithnjë e më shumë vëmendjen e vizitorëve dhe janë bërë pjesë edhe e ofertës së shumë lokaleve dhe restoranteve.


Elton Shkullaku është një nga operatorët turistikë në Pogradec. Ai tregon se gatimet tradicionale të zonës kërkohen gjithnjë e më shumë nga turistët vendas dhe të huaj, të cilët duan të njohin jo vetëm natyrën, por edhe shijet autentike të kulinarisë së juglindjes.


“Turistët janë për gjërat tradicionale të zonës tonë, si pula me petka, me dromka. Kanë trahananë e ëmbël dhe të kripur. Janë të interesuar për t’i provuar. Amvisat i bëjnë me duart e veta, 80% të gjërave i prodhojmë vetë”, u shpreh ai.


Këto gatime tradicionale i gjen edhe në Pazarin e Vjetër të Korçës, një prej destinacioneve të vizituara nga turistët. Në tavolinat e lokaleve të zonës, recetat e vjetra po rikthehen si një mënyrë për të ruajtur traditën dhe për t’ua përcjellë atë brezave të rinj.


Nga zahiretë e përgatitura në familje deri te tavolinat e restoranteve, gatimet tradicionale të juglindjes vijojnë të mbeten një pjesë e rëndësishme e identitetit dhe kulinarisë së kësaj treve. Përtej shijes, ato mbartin historinë e familjeve dhe një mënyrë jetese që vazhdon të përcillet nga një brez te tjetri./ Euronews

“KORÇA BOOM”


bottom of page