top of page

U shua në moshën 66-vjeçare ish-mbrojtësi i Partizanit dhe Kombëtares, Kristaq Eksarko

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Dec 29, 2025
  • 1 min read

Kjo e hënë e fundit e vitit 2025 ka sjellë një lajm të trishtë për futbollin shqiptar. Një tjetër legjendë e futbollit kombëtar, dhe veçanërisht e Partizanit, është ndarë nga jeta. Kristaq Eksarko, ish-mbrojtësi i njohur i Partizanit dhe i Kombëtares shqiptare, ka ndërruar jetë në moshën 66-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë.


Eksarko ishte pjesë e Partizanit deri në vitet 1985, duke lënë gjurmë të forta si një mbrojtës i pathyeshëm dhe lojtar me personalitet. Me fanellën kuqezi të Kombëtares, ai zhvilloi katër ndeshje gjatë periudhës 1983–1984, duke përfaqësuar vendin me përkushtim dhe dinjitet.


Në karrierën e tij me Partizanin, Kristaq Eksarko u shpall kampion i Shqipërisë në sezonin 1980–1981 dhe fitoi Kupën e Republikës në vitin 1980. Ai ishte gjithashtu finalist i Kupës së Republikës në ndeshjen finale ndaj Flamurtarit më 8 shkurt 1985, një takim që shënoi edhe fundin e aventurës së tij me skuadrën e kuqe, nga e cila u largua jo me dëshirën e tij.


Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Eksarko vijoi kontributin e tij në futboll si trajner. Në fillim të viteve 2000, ai punoi në Shkollën e Mjeshtërisë Sportive “Loro Boriçi”, ku u dallua si një trajner i rreptë dhe kërkues, por njëkohësisht si një zbulues i aftë talentesh dhe një edukator i përkushtuar.


Kristaq Eksarko do të mbahet mend si një mbrojtës i fortë, një profesionist i ndershëm dhe një njeri që i shërbeu futbollit shqiptar me pasion dhe integritet.

Qoftë i lehtë dheu për Kristaq Eksarkon.

"KORCA BOOM"


bottom of page