Vetëm 2 km nga shembja e parë, një tjetër rrëshqitje rrezikon qarkullimin në Librazhd
- 15 hours ago
- 1 min read
Moti i keq dhe punimet për zgjerimin e Korridori VIII kanë shkaktuar një rrëshqitje masive toke pranë fshatit Dragostunjë, në aksin nacional Librazhd-Përrenjas, duke dëmtuar rëndë një pjesë të konsiderueshme të rrugës dhe duke çarë gjysmën e saj.
Shembja ka ndodhur rreth 2 kilometra larg vendit ku, dy javë më parë, u rrëzua shpati i një mali, duke bllokuar qarkullimin për rreth 8 orë dhe duke krijuar rrezik për përdoruesit e rrugës si edhe problematika në lëvizje për disa ditë me radhë.
Fatmirësisht, masat e marra deri tani kanë shmangur pasoja për drejtuesit e mjeteve. Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe kompania që po kryen punimet kanë organizuar qarkullimin me një korsi dhe po hapin një gjurmë të re që do të shërbejë si korsi e dytë e përkohshme.
Ndërkohë, një sondë shpuese po kryen studime për të përcaktuar përmasat e rrëshqitjes.
Sipas të dhënave paraprake, edhe pas disa metrash shpimi në thellësi nuk është gjetur ende një shtresë e qëndrueshme toke, çka tregon se bëhet fjalë për një rrëshqitje me përmasa të mëdha.
Banorët dhe përdoruesit e këtij aksi kërkojnë masa më të forta parandaluese, duke qenë se situata të tilla po përsëriten shpesh në këtë segment rrugor.
"KORCA BOOM"



















