Vjedhje milionëshe në postën e Devollit, dy punonjëse nën hetim
- Korca Boom
- Jan 16
- 1 min read
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, ndaj dy punonjëseve të postës në Devoll.
Bëhet fjalë për P. Sh., 29 vjeçe, banuese në Bilisht, me detyrë përgjegjëse e zyrës postare Vishocicë dhe E. Ç., 27 vjeçe, banuese në Bilisht, arkëtare-llogaritare në degën postare Devoll.
Nga hetimet dyshohet se këto shtetase, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, gjatë periudhës shtator 2025 – janar 2026, kanë vjedhur rreth 22 milionë lekë të rinj nga fondet e postës, duke shpërdoruar detyrat që ushtronin.
Sipas Policisë, P. Sh. dyshohet se ka përvetësuar fonde të pensioneve dhe të ndihmës ekonomike, kryesisht të pensionistëve që jetonin jashtë shtetit, duke falsifikuar nënshkrimet e tyre. Ndërsa E. Ç. dyshohet se ka manipuluar, hequr dhe falsifikuar mandatpagesa nga evidencat e librave të arkës dhe sistemi i menaxhimit të parave cash, me qëllim favorizimin e vjedhjes së fondeve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë.
"KORCA BOOM"



















