Vrasja e Edoardo Sarchit: Një person doli para makinës dhe qëlloi pa paralajmërim
- Korca Boom
- Sep 27, 2025
- 1 min read
Ngjarja e rëndë e ndodhur pak pas mesnate në zonën mes Nivicës dhe Salarisë, ku u vra një shtetas italian, ka marrë përmasa të reja pas dëshmive të para dhe identifikimit të autorit të dyshuar.
Viktima është identifikuar si Edoardo Sarchi, 44 vjeç, një biznesmen italian që jetonte në Tiranë dhe ishte pronar i një fabrike tullash në kryeqytet. Ai po udhëtonte me automjet së bashku me disa persona të tjerë, përfshirë edhe shoferin e tij.
Sipas informacioneve të siguruara nga A2 CNN, shoferi ka dëshmuar përpara autoriteteve se një person u kishte dalë përpara makinës në rrugë dhe kishte ngritur dorën në shenjë ndalese. Në atë moment, pa asnjë paralajmërim tjetër, autori kishte hapur zjarr me armë automatike, duke qëlluar në drejtim të biznesmenit italian.
Policia ka bërë me dije se autori i dyshuar është identifikuar si Gazmend Braçe. Menjëherë pas ngjarjes, janë ngritur disa postblloqe në zonën përreth për të mundësuar kapjen e tij.
Grupi hetimor ndodhet në terren dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa po analizohen edhe motivet e mundshme të këtij krimi të rëndë. Ende nuk dihet nëse ngjarja ka qenë një atentat i mirëorganizuar apo një përplasje e çastit.
Autoritetet kanë sekuestruar kamerat e sigurisë nga zona përreth dhe kanë marrë dëshmi nga personat që ndodheshin në automjetin e viktimës. Ndërkohë, komuniteti lokal është tronditur nga vrasja, ndërsa pritet reagimi zyrtar i ambasadës italiane në Tiranë.
“KORÇA BOOM”



















