top of page

Vullkani legjendar zgjohet sërish, llava pushton qiellin e Havait

  • Jun 1
  • 1 min read

Vullkani Kilauea në Hawaii ka hyrë sërish në një fazë aktive, duke nxjerrë sasi të mëdha llave dhe duke tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve dhe publikut në mbarë botën.


Sipas të dhënave të Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), aktiviteti vullkanik është intensifikuar ditët e fundit, ndërsa ekspertët po monitorojnë vazhdimisht situatën për të vlerësuar zhvillimin e mëtejshëm të shpërthimit.


Pamjet e transmetuara drejtpërdrejt nga zona tregojnë burime të fuqishme llave që dalin nga krateri, duke krijuar një spektakël natyror mahnitës. Autoritetet amerikane kanë vendosur nën vëzhgim të vazhdueshëm rajonin përreth vullkanit, ndërsa ekipet shkencore po mbledhin të dhëna mbi intensitetin dhe ndikimin e fenomenit.


Kilauea konsiderohet një nga vullkanet më aktivë në botë dhe ndodhet në Ishullin e Madh të Havait. Për shkak të aktivitetit të tij të shpeshtë, ai është një nga vullkanet më të studiuar nga komuniteti shkencor ndërkombëtar.


Shpërthimet e Kilaueas tërheqin jo vetëm interesin e ekspertëve, por edhe të mijëra njerëzve që ndjekin nga afër zhvillimet përmes transmetimeve në kohë reale, ku mund të shihen rrjedhat e zjarrta të llavës dhe aktiviteti i pandërprerë i vullkanit.

“KORÇA BOOM”


bottom of page