top of page

Zbardhen detaje zyrtare nga atentati në Rinas, viktimë Gilmando Dani, plagoset rëndë Muçi Shaljani

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Nov 11
  • 1 min read

Policia e Shtetit ka dhënë informacionet e para zyrtare lidhur me atentatin e ndodhur mesditën e kësaj të marte në afërsi të aeroportit të Rinasit. Sipas njoftimit, rreth orës 14:20, në rrethrrotullimin pranë aeroportit është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti në lëvizje, në të cilin ndodheshin Gilmando Dani, rreth 47 vjeç, dhe Muçi Shaljani, i njohur edhe si Sheqeri, rreth 40 vjeç.


Si pasojë e të shtënave, Gilmando Dani ka humbur jetën në vend, ndërsa Muçi Shaljani ka mbetur i plagosur rëndë dhe ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Ngjarja ka tronditur zonën e Rinasit, ndërsa dëshmitarët kanë raportuar breshëri plumbash që kanë shkaktuar panik tek kalimtarët dhe drejtuesit e mjeteve.


Menjëherë pas atentatit, forcat e policisë kanë rrethuar zonën dhe kanë ngritur pika të shumta kontrolli në akset që lidhin Rinasin me Fushë-Krujën, pasi dyshohet se autorët janë larguar në atë drejtim. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të atentatit.


Sipas burimeve të para nga hetimi, nuk përjashtohet pista e një përplasjeje midis grupeve kriminale, pasi viktima, Gilmando Dani, ishte një emër i njohur për policinë dhe përmendej si bashkëpunëtor i afërt i Emiljano Shullazit. Hetimet vijojnë me intensitet, ndërsa policia ka sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë në zonë për të ndihmuar në identifikimin e autorëve të sulmit.

"KORCA BOOM"

ree

bottom of page