Zbulohet rrjeti i prostitucionit/ Arrestohen dy vajza nga Kazakistani
- Korca Boom
- Nov 12, 2025
- 1 min read
Finalizohet pas disa javësh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Rented”.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetase nga Kazakistani që ushtronin prostitucion në dy apartamente që kishin marrë me qira, në qytetin e Elbasanit. Procedohet penalisht 39-vjeçarja që iu kishte dhënë me qira apartamentet.
Sekuestrohen shuma parash të valutave të ndryshme, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme, dokumente identifikimi dhe celularë.
Njoftimi i plotë:
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve i DVP Elbasan, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, si rezultat i hetimeve intensive të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Rented”.
Nga hetimet u zbulua se 2 shtetase nga Kazakistani kishin marrë me qira dy apartamente në qytetin e Elbasanit, me qëllim ushtrimin e prostitucionit.
Në vijim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetaset Z. M., 37 vjeçe, dhe N. S., 38 vjeçe, të dyja banuese në Kazakistan, për veprën penale “Prostitucioni”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për pronaren e dy apartamenteve, shtetasen M. C., 39 vjeçe, banuese në Elbasan, për veprën penale “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”.
Gjatë kontrolleve këto dy ambiente u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma parash të valutave të ndryshme, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari, celularë dhe dokumente të ndryshme.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme./ Oranews
“KORÇA BOOM”



















