Del identiteti/ Ja kush është 7-vjeçari që humbi jetën mëngjesin e sotëm
- 2 hours ago
- 1 min read
Algit Samurri, 7 vjeç, ka humbur jetën mëngjesin e kësaj të hëne në një aksident tragjik të ndodhur në aksin nacional Elbasan–Librazhd, pranë fshatit Mengël.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 08:00, në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Sulejman Rranci”, teksa i mituri ndodhej së bashku me nënën e tij. Sipas dëshmive paraprake, pas shoqërimit të motrës në shkollë, 7-vjeçari dyshohet se është shkëputur për një moment nga dora e së ëmës dhe është përplasur nga një automjet.
Drejtuesi i mjetit dyshohet të jetë producenti dhe regjisori Petri Bozo, i cili pas aksidentit është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Familjarë dhe banorë të zonës kanë shprehur dhimbje për humbjen e 7-vjeçarit, të cilin e përshkruajnë si një fëmijë të dashur dhe plot jetë. Ndërkohë, ata kanë ngritur gjithashtu shqetësimin për mungesën e infrastrukturës së sigurisë rrugore pranë shkollës, duke theksuar se zona ka qenë prej kohësh problematike.
Pas ngjarjes, policia dhe grupi hetimor kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit, ndërsa drejtuesi i mjetit ka deklaruar se nuk ka qenë duke lëvizur me shpejtësi të lartë, pasi ndodhej në një aks nacional.
“KORÇA BOOM”
















