Zjarret nga jugu në veri të vendit/ Flakët në Korçë kalojnë në territorin grek, vatra ende aktive në Xath
- Korca Boom
- Aug 14
- 1 min read
Vatrat e zjarrit në Shqipëri vijojnë të përhapen, duke shtrirë flakët nga jugu në veri të vendit.
Në afërsi të Parkut Natyror të Gërmenjës në Korçë, zjarri po përparon drejt territorit grek si pasojë e erës, ndërsa një ekip prej 40 forcash dhe 9 mjeteve po punon për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përhapjen në zonën e mbrojtur. Veprimet në terren janë të kujdesshme për shkak të rrezikut nga municionet, dhe koordinimi po bëhet edhe me autoritetet greke.
Në Qarkun Berat, vatrat e zjarrit në Zonën e Mbrojtur Balloll dhe fshatin Velçan po vazhdojnë, ndërsa në terren janë prezente forca të ushtrisë dhe zjarrfikës. Ndërhyrja ajrore pritet për të ndihmuar në shuarjen e flakëve në zonat më të vështira.
Në Qarkun Shkodër, vatra e zjarrit në fshatin Xath të Fushë-Arrëzit mbetet aktive. Forcat e ushtrisë, komuniteti vendas dhe një helikopter po punojnë për të shuar flakët në terrenin e thepisur, ndërsa strukturat e Emergjencave Civile të Prefektit të Qarkut Shkodër mbikëqyrin koordinimin e veprimeve. Në zonat e tjera të Shkodrës, vatrat e zjarrit janë shuar, dhe në kënetën e Domit në Velipojë ka vetëm tym, pa rrezik për përhapje.
Në Kukës vijon monitorimi i vatrës së izoluar në Maja e Zezë të Parkut Natyror Monellës me 5 zjarrfikës, ndërsa në bashkitë Has dhe Tropojë nuk ka vatra aktive./ LAJMI FUNDIT
“KORÇA BOOM”



















