Zjarret në vend/ Ministria e Mbrojtjes publikon bilancin: 16 vatra, 5 ende aktive!
- 7 hours ago
- 1 min read
Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin e situatës së zjarreve në vend, duke njoftuar se gjatë kësaj të diele janë menaxhuar 16 vatra zjarri në disa qarqe të Shqipërisë, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Sipas njoftimit zyrtar, pesë vatra vijojnë të jenë aktive, por janë vënë nën kontroll, ndërsa ekipet në terren po punojnë për izolimin dhe shuarjen e plotë të tyre.
Operacionet janë zhvilluar në zonat Hajdaraj-Synej në Kavajë, Drizë-Peshtan në Fier, Tale në Lezhë, Ulën në Elbasan dhe Divjakë. Në aksion janë angazhuar 261 forca operacionale, 40 automjete zjarrfikëse, dy helikopterë, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy mjete zjarrfikëse të FA-së.
Në mbështetje të operacionit kanë marrë pjesë edhe forcat e Policisë së Shtetit, FNSH-së, Shërbimi Pyjor, strukturat vendore të emergjencave civile, si dhe ekipet e shërbimit shëndetësor.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës dhe apelojnë për kujdes maksimal, ndërsa temperaturat e larta dhe era mbeten faktorë që favorizojnë përhapjen e flakëve.
"Nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, gjatë ditës së sotme u menaxhuan operacionet për përballimin e 16 vatrave të zjarrit në disa qarqe të vendit. Pesë vatrat që vijojnë të jenë aktive janë vënë nën kontroll, ndërsa strukturat operacionale po punojnë për shuarjen përfundimtare të tyre.
Në operacionet e zhvilluara në Hajdaraj/Synej (Kavajë), Drizë–Peshtan (Fier), Tale (Lezhë), Ulën (Elbasan), Divjakë dhe vatra të tjera u angazhuan 261 forca operacionale, 40 automjete zjarrfikëse, 2 helikopterë, 30 efektivë dhe 2 automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura, si dhe forca të Policisë së Shtetit, FNSH-së, Shërbimit Pyjor, strukturave vendore të emergjencave civile dhe shërbimeve shëndetësore."-thuhet në njoftim./ Pamfleti
“KORÇA BOOM”
















