top of page

Zyrtare, çmimet e barnave për vitin 2026 miratohen sipas metodologjisë në fuqi

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 2 hours ago
  • 2 min read

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka njoftuar se çmimet e barnave për vitin 2026 janë miratuar në përputhje me metodologjinë në fuqi dhe se nuk parashikohet asnjë rritje për barnat alternative dhe ato të vetme të Listës së Barnave të Rimbursueshme.

Sipas Komisionit të Çmimit të Barnave, çmimet miratohen çdo vit në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 645, datë 1 tetor 2014, i ndryshuar, i cili përcakton procedurat që duhet të ndjekin mbajtësit e autorizimit për tregtimin e barnave, si dhe kriteret për vendosjen e çmimeve referencë.


Për barnat e importuara, çmimi i referencës përcaktohet mbi bazën e çmimit më të ulët nga pesë shtetet referente, përkatësisht Italia, Greqia, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia, çmimit të tregtimit me pakicë në vendin e origjinës, ose çmimit të barnave të importuara në Shqipëri gjatë 12 muajve të fundit. Ndërkohë, për barnat gjenerike, çmimi duhet të jetë deri në 80 për qind të çmimit të barit origjinator.


Ministria bën me dije se barnat për të cilat nuk është bërë deklarimi i çmimit deri më 31 tetor nuk mund të përfshihen në listën e barnave të rimbursueshme për vitin pasardhës. Ndërsa barnat që ndodhen në proces autorizimi dhe kanë deklaruar çmimin brenda afatit, mund të përfshihen në listë sapo të pajisen me autorizim për tregtim.


Afati i fundit për miratimin e çmimeve CIF/EXW për vitin 2026 ka qenë 31 dhjetor 2025. Lista e çmimeve të miratuara është përcjellë zyrtarisht pranë Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, si dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.


Në bazë të VKM-së nr. 491, datë 24 korrik 2024, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka reflektuar menjëherë uljen e çmimeve për barnat alternative të vetme, duke ndjekur praktikën e konsoliduar ndër vite dhe duke garantuar që çmimet për vitin 2026 janë më të ulëta krahasuar me ato të vitit 2025.

"KORCA BOOM"


bottom of page