Çfarë ndodhi me 87-vjeçaren në Korçë? Policia sekuestron kamerat
- 9 hours ago
- 1 min read
Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e regjistruar në lagjen nr. 4 të Korçë, ku një 87-vjeçare u gjet e pajetë në banesën e saj.
Sipas burimeve, e moshuara jetonte me njërin nga djemtë, i cili për shkak të aktivitetit të tij në Greqi lëvizte herë pas here jashtë vendit. Gjatë periudhave kur ai mungonte, për kujdesin ndaj nënës ishte angazhuar një grua.
Ka qenë pikërisht kujdestarja ajo që ditën e sotme, si çdo ditë tjetër, ka shkuar në banesë, por ka konstatuar se porta ishte e mbyllur. Pasi ka thirrur disa herë dhe nuk ka marrë përgjigje, ajo ka njoftuar menjëherë policinë.
Sipas të dhënave paraprake të policisë, 87-vjeçarja dyshohet të ketë ndërruar jetë për shkaqe natyrale. Në trupin e saj është konstatuar një hematomë e lehtë në kokë, e cila paraprakisht mendohet të jetë shkaktuar nga rrëzimi nga krevati ku flinte.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Për këtë arsye, policia ka sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë të banesave dhe bizneseve pranë zonës ku jetonte e moshuara.
“KORÇA BOOM”
















