top of page

Çfarë pa në Tiranë ambasadori i ri izraelit? Deklarata e tij për protestat dhe dezinformimin!

21 hours ago
2 min read

Në kulmin e protestave studentore që përfshinë Tiranën, në Shqipëri mbërriti edhe ambasadori i ri i Izraelit, Ohad Nakash Kaynar. Tashmë, diplomati ka komentuar zhvillimet e ditëve të fundit, duke shprehur keqardhjen për pasojat e protestave, veçanërisht për ndërtesat e djegura dhe dëmet e shkaktuara.


Gjatë protestave, në rrjetet sociale dhe në disa media qarkulluan pretendime se në Shqipëri kishin mbërritur avionë nga Tel Avivi, me shtetas izraelitë apo mercenarë që do të përdoreshin në situatën e brendshme të vendit.


I pyetur për këtë çështje në një intervistë për “Euronews Albania”, ambasadori izraelit i ka mohuar lidhjet e Izraelit me zhvillimet e protestave, duke theksuar se ato janë çështje të brendshme të Shqipërisë.

“Si ambasador, kjo nuk është puna ime. Nuk është kurrsesi punë e Izraelit”, u shpreh Kaynar.


Diplomati tregoi gjithashtu se i kishte bërë përshtypje negative pamja e ndërtesave të dëmtuara gjatë protestave, duke theksuar se ishte për të ardhur keq të shihje pasojat e dhunës në një qytet që e konsideron shumë të bukur.


“Kur po ecja në Tiranë, ishte për të ardhur keq të shihje disa nga pasojat e protestave, përfshirë ndërtesat e djegura. Më shkakton keqardhje, edhe pse nuk është puna ime”, deklaroi ambasadori.


Një tjetër shqetësim që ai ngriti ishte përhapja e dezinformimit dhe ndikimi i tij në marrëdhëniet mes qytetarëve të dy vendeve. Sipas Kaynar, pretendimet e pavërteta kanë krijuar dyshime te disa njerëz në Shqipëri dhe Izrael, duke ndikuar negativisht në besimin e ndërsjellë.


“Këto ditë, fatkeqësisht, ky besim është zvogëluar pak dhe njerëzit, disa njerëz, jo të gjithë, por disa njerëz në Izrael dhe disa njerëz këtu shikojnë njëri-tjetrin dhe thonë: ndoshta po na targetojnë neve me protestat. Ndoshta po na vënë në shënjestër dhe nuk na duan. Kjo më pas ndikon çdo gjë tjetër”, u shpreh ai.


Deklaratat e ambasadorit vijnë në një kohë kur protestat dhe pretendimet që qarkulluan gjatë tyre kanë nxitur debate të shumta, ndërsa diplomati bëri thirrje për kujdes ndaj dezinformimit dhe ruajtjen e besimit mes dy popujve.

“KORÇA BOOM”


bottom of page