“Çfarë po bën?”/ Fjalët e fundit të 45-vjeçares, zbardhen momentet para tr*gjedisë
- 16 hours ago
- 2 min read
Detaje të reja dhe tronditëse kanë dalë në dritë lidhur me vdekjen e 45-vjeçares Lorena Isceri, e cila humbi jetën pasi u hodh nga një urë në autostradë, në zonën e Barberino del Mugello, në Itali.
Sipas rindërtimit paraprak të hetuesve, ish-partneri i saj, 36-vjeçari Federico Vella, dyshohet se e kishte rrëmbyer dhe e kishte mbajtur në bagazhin e automjetit të tij.
Mediat italiane raportojnë se Isceri kishte arritur të çlironte duart nga lidhëset dhe menjëherë kishte telefonuar policinë. Telefonata me qendrën e emergjencave zgjati rreth 20 minuta, gjatë të cilave gruaja dyshohet se ka dhënë informacion mbi situatën në të cilën ndodhej.
Në momentet e fundit të telefonatës, Vella dyshohet se hapi bagazhin e automjetit. Fjalët e fundit që u dëgjuan në telefon ishin: “Çfarë po bën?”, përpara se komunikimi të ndërpritej.
Hetuesit ende nuk kanë përcaktuar nëse 45-vjeçarja ishte gjallë në momentin kur u hodh nga ura apo nëse kishte humbur jetën më herët si pasojë e dhunës.
Sipas rindërtimit të ngjarjes, Vella dyshohet se ishte fshehur në garazhin e ish-partneres së tij. Çifti ishte ndarë në gusht të vitit të kaluar. Hetuesit dyshojnë se ai kishte ndërhyrë në mekanizmin e dyerve të garazhit për t'i mbajtur ato të hapura dhe kishte pritur mbërritjen e gruas.
Kur Isceri mbërriti për të parkuar automjetin, 36-vjeçari dyshohet se e goditi me grusht dhe më pas i lidhi duart me lidhëse që kishte marrë me vete. Më pas, gruaja u fut në bagazhin e makinës, ndërsa Vella u largua nga vendi.
Në bagazh, sipas hetuesve, ndodhej edhe çanta e 45-vjeçares. Pasi arriti të çlironte duart, ajo dyshohet se kontaktoi nënën e saj dhe një mik, ndërsa telefonoi edhe numrin e emergjencës për të kërkuar ndihmë.
Policia arriti të gjurmonte automjetin përmes vendndodhjes së telefonit të gruas. Kur efektivët mbërritën pranë viaduktit, dyshohet se Vella e kishte nxjerrë Iscerin nga automjeti dhe e kishte hedhur nga parapeti.
Përpara policisë, 36-vjeçari dyshohet se deklaroi se ishte tradhtuar dhe se ishte trajtuar keq. Ndërkohë, pak para ngjarjes, ai kishte publikuar në rrjetet sociale një mesazh ku shkruante: “Mirupafshim të gjithëve”.
Prokuroria e Firences po heton edhe pistën se ngjarja mund të ketë qenë e paramenduar. Hetimet vijojnë për të sqaruar të gjithë dinamikën dhe, veçanërisht, për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur në momentet e fundit të jetës së 45-vjeçares.
“KORÇA BOOM”
















