149 vjet nga lindja e Kristo Luarasit, mbështetës i arsimit dhe gazetarisë shqiptare
- Korca Boom
- 13 hours ago
- 1 min read
Sot përkujtohet 149-vjetori i lindjes së Kristo Luarasit – veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, i angazhuar në përhapjen e arsimit dhe gjuhës shqipe, si dhe në botimin e librave dhe gazetave kombëtare.
Kristo Luarasi lindi në Luaras të Kolonjës dhe filloi veprimtarinë atdhetare në vitet ’90 të shekullit XIX. Ai punoi si mësues i gjuhës shqipe (1892–1894), ndërsa më pas mërgoi në Bukuresht dhe Sofje, ku së bashku me Kostë Trebickën themeloi shtypshkronjën “Mbrothësia” dhe publikoi libra, gazeta dhe vepra të rilindësve.
Luarasi bashkëpunoi edhe me Bajo dhe Çerçiz Topullin për organizimin e çetave të armatosura dhe publikoi veprën e Sami Frashërit, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”. Përmes gazetës “Liri e Shqipërisë”, mbështeti kryengritjet e viteve 1911–1912 dhe kontribuoi në përgatitjen e Kuvendit të Vlorës dhe Shpalljen e Pavarësisë.
Pas vitit 1920, ai u vendos në Tiranë dhe vazhdoi veprimtarinë kulturore deri në vitin 1934, kur ndërroi jetë, duke lënë pas një trashëgimi të pasur për gjuhën, arsimin dhe historinë shqiptare.
"KORCA BOOM"



















