30 minuta tm*rr në bankë, tre grabitës të armatosur zhduken me mbi 200 mijë euro
- May 11
- 1 min read
Kato Tithorea u trondit mëngjesin e kësaj të hëne nga një grabitje e armatosur në një degë banke, ku tre persona të maskuar dhe të armatosur rëndë morën një shumë parash që sipas vlerësimeve paraprake tejkalon 200 mijë euro.
Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00, menjëherë pas hapjes së degës për klientët. Autorët hynë brenda ambienteve dhe qëndruan për rreth 30 minuta, duke pritur përfundimin e procedurës së vonesës kohore për hapjen e kasafortës.
Sipas dëshmive, grabitësit mbanin fytyrat e mbuluara dhe ishin të pajisur me armë të rënda.
Pasi morën paratë, ata u larguan me një automjet në drejtim të Mali Parnassos, përmes zonës së Amfiklia. Gjatë largimit, disa kartëmonedha ranë nga çantat e tyre dhe mbetën në vendngjarje, çka është fiksuar edhe në pamje të publikuara nga mediat lokale.
Banorë të zonës kanë deklaruar se forcat e policisë nuk mbërritën gjatë kohës që po zhvillohej grabitja, ndërsa një prej tyre u shpreh për mediat se “policia nuk u shfaq kurrë”.
Ndërkohë, autoritetet greke kanë nisur një operacion të gjerë për identifikimin dhe kapjen e autorëve, duke përqendruar hetimet në zonën përreth Parnassosit dhe në rrugët e mundshme të përdorura për arratisje.
“KORÇA BOOM”
















