35-vjeçari u gjet i copëtuar në kovë me gëlqere nga nëna dhe nusja, zbardhen detaje të reja të krimit
- Korca Boom
- Aug 4, 2025
- 2 min read
Një krim makabër ka tronditur Italinë, ku autoritetet zbuluan trupin e copëtuar të një 35-vjeçari në një banesë në Gemona, në provincën e Udines. Viktima, Alessandro Venier, dyshohet se u vra nga nëna dhe partnerja e tij, përpara se trupi të fshihej në një kovë të mbushur me gëlqere.
Hetimet morën një kthesë të fortë pas zbulimit të një telefonate të partneres kolumbiane të viktimës, Mailyn Castro Monsaldo, e cila i drejtohej emergjencës duke thënë: “Vjehrra ime do ta vrasë djalin e saj. Ejani shpejt!”. Kjo dëshmi hodhi dyshime mbi versionin e ngjarjes të dhënë nga nëna e viktimës, Lorena Venier, e cila kishte marrë përsipër të gjithë përgjegjësinë për vrasjen.
Sipas rrëfimit të Loresës, e cila është infermiere, ajo dhe nusja i kanë dhënë fillimisht viktimës një limonatë të përzier me lëndë narkotike. Më pas, ajo thotë se i ka injektuar dy doza insuline për ta lënë pa ndjenja. Kur kjo nuk mjaftoi, ata tentuan ta mbytnin me duar, por përfundimisht përdorën një lidhëse këpucësh për t’i marrë jetën.
Pasi e vranë, trupi i 35-vjeçarit u copëtua me një mjet prerës dhe u fut në një kovë të mbushur me gëlqere të blerë paraprakisht në internet. Lorena dëshmoi se kishin planifikuar ta transportonin trupin në male dhe ta braktisnin atje, vend ku sipas saj i biri kishte shprehur dëshirën të preheshin eshtrat e tij.
Ndërkohë, avokatja e partneres kolumbiane ka deklaruar se Mailyn ka mavijosje të freskëta në trup, duke ngritur dyshime mbi versionin e rrëfyer nga vjehrra. Gjithashtu, është zbuluar se viktima kishte një histori sjelljeje të dhunshme dhe ishte pushuar më parë nga puna për goditjen e një kolegu.
Hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa të dy gratë janë ndaluar. Autoritetet po punojnë për të përcaktuar rolin e saktë të secilës në këtë ngjarje tronditëse që ka prekur opinionin publik italian. Fëmija 6-muajsh i çiftit është marrë nën kujdesin e shërbimeve sociale.
“KORÇA BOOM”



















