top of page

72-vjeçari humbi jetën nga zjarri në Korçë, banorët: Ishte i alkoolizuar, tentoi disa ditë më parë t’i vinte zjarrin banesës

  • 24 hours ago
  • 2 min read

Një ngjarje e rëndë u shënua pasditen e sotme në lagjen nr. 15 të qytetit të Korçës, ku një 70-vjeçar humbi jetën si pasojë e flakëve që përfshinë banesën e tij.


Viktima është Urim Hysolli, 72 vjeç, i njohur nga banorët e zonës si person me probleme të varësisë nga alkooli. Sipas informacioneve paraprake, ai ishte rikthyer prej pak javësh në apartamentin e tij, të cilin e kishte dhënë me qira prej rreth 10 vitesh, duke jetuar së bashku me qiramarrësit.


Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se disa ditë më parë, në gjendje të dehur, 70-vjeçari kishte tentuar t’i vinte zjarrin banesës, por flakët ishin shuar në kohë nga qiramarrësi.


Edhe këtë pasdite dyshohet se ai i ka vënë sërish zjarrin banesës, ndërsa flakët janë përhapur me shpejtësi në të gjithë apartamentin.


Megjithëse në vendngjarje mbërritën në kohë rekord shërbimet zjarrfikëse dhe policia, nuk ishte e mundur shpëtimi i të moshuarit, i cili dyshohet se ka humbur jetën nga asfiksia.


Forcat zjarrfikëse vijojnë ende punën për shuarjen e plotë të flakëve, ndërsa për arsye sigurie janë evakuuar të gjithë banorët e pallatit.



Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe po merr në pyetje banorët e pallatit, si dhe qiramarrësit, për të sqaruar se çfarë ka ndodhur në momentet para rënies së zjarrit.


Njoftimi i plotë i policisë:


Rreth orës 15:45, në lagjen nr. 15, Korçë, në katin e parë të një pallati, dyshohet se ka rënë zjarr në banesën e shtetasit U. H., rreth 72 vjeç.


Si pasojë e asfiksisë, ka ndërruar jetë shtetasi U. H., i cili ndodhej në banesë.


Shërbimet e Policisë dhe ato të zjarrfikëses ndodhen në vendngjarje dhe po bëjnë evakuimin e banorëve të pallatit, si dhe shuarjen e zjarrit.


Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të rënies së zjarrit.

“KORÇA BOOM”


bottom of page