Tragjedi në Rrugën e Arbrit, ndahet nga jeta anëtari i ekipit shqiptar të kërkim-shpëtimit
- 2 hours ago
- 1 min read
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Klos, ku ka humbur jetën Erkin Lika, një nga anëtarët më të njohur të grupeve shqiptare të kërkim-shpëtimit.
Ngjarja ka ndodhur pranë Urës së Vashës, në Rrugën e Arbrit. Sipas informacioneve paraprake, ai dyshohet se është rrëzuar në humnerë gjatë ngjitjes në shkëmbinj, duke humbur jetën.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë së Matit dhe ekipet e kërkim-shpëtimit, së bashku me polumbarët, të cilët zhvilluan operacionin për gjetjen e tij.
Erkin Lika ishte një emër i njohur në komunitetin e kërkim-shpëtimit në Shqipëri. Ai kishte marrë pjesë në dhjetëra operacione për shpëtimin e personave të përfshirë në aksidente dhe situata emergjente, duke fituar respekt për profesionalizmin dhe përkushtimin e tij.
Alpinizmi ishte pasioni i tij më i madh, një pasion që fatkeqësisht i mori edhe jetën.
Rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende nën hetim, ndërsa pritet që autoritetet të japin më shumë detaje pas përfundimit të veprimeve procedurale.
“KORÇA BOOM”
















