“Ai pa mesazhin në telefon”/ Si nisi sherri mes çiftit shqiptar në Greqi, që përfundoi në tragjedi
- Korca Boom
- Aug 22, 2025
- 1 min read
I varur nga droga, me probleme psikiatrike dhe i “verbuar” nga xhelozia! Ajo që e ‘tërboi’ 40-vjeçarin shqiptar, Pandeli Nakoleci, duke e bërë atë të shkonte drejt vrasjes brutale të gruas së tij para fëmijëve, duket se ka qenë një mesazh në celularin e saj. Kjo i shkaktoi xhelozinë e sëmurë, pasi dyshonte se ajo kishte një lidhje jashtëmartesore.
Ky është përshkrimi që mediat greke japin mbi vrasjen makabre të Manjola Nakolecit nga bashkëshorti i saj, ditën e sotme, në Volos të Greqisë. Që nga pasditja e së premtes, policia ka nisur kërkimet për arrestimin e tij, pasi 40-vjeçari është arratisur, ndërsa ka me vete edhe thikën që kreu vrasjen.
Në të njëjtën kohë, një tjetër ekip policie po kontrollon qytetin dhe strehimet e mundshme ku ai mund të ketë qenë i fshehur, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë vrarë edhe veten. Ky skenar po shqyrtohet seriozisht, pasi 40-vjeçari kishte një historik të problemeve të shëndetit mendor, teksa thuhet se kishte tentuar vetëvrasje rreth dy muaj më parë.
Sipas një raportimi nga MEGA, më 28 qershor 2025, ai u transferua në klinikën psikiatrike të Volosit pasi u përpoq të bënte vetëvrasje në verandën e shtëpisë së tij, përsëri para fëmijëve. Po ashtu thuhet se ka qenë nën ndikimin e drogës. Në vitin 2019, ai u arrestua tre herë për posedim dhe trafik droge. Ai qëndroi në burg vetëm për dy muaj dhe që atëherë ka pasur probleme financiare.
“KORÇA BOOM”



















