top of page

Alarm në arsim: 2.500 mësues të shpallur të papërshtatshëm për mësimdhënie

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 2 hours ago
  • 2 min read

Ngjarja e rëndë e ndodhur në një gjimnaz të qytetit të Serres ka rikthyer në qendër të debatit publik gjendjen e shëndetit mendor në arsimin grek dhe mungesën e mekanizmave parandalues për mbikëqyrjen e mësuesve. Rasti, ku një mësuese ushtroi dhunë ndaj një nxënësi 13-vjeçar, u bë shkak për reagim të menjëhershëm nga autoritetet arsimore.


Pas këtij incidenti, Ministria greke e Arsimit ka nisur përgatitjen e një plani për vendosjen e vlerësimeve psikologjike të detyrueshme për mësuesit, si në momentin e punësimit ashtu edhe në intervale të rregullta gjatë karrierës së tyre. Sipas të dhënave administrative, rreth 2.500 mësues në të gjithë vendin janë evidentuar ndër vite si të papërshtatshëm për mësimdhënie, kryesisht për shkak të problemeve të shëndetit mendor.


Në sistemin arsimor grek prej vitesh përdoret termi “i paaftë për mësimdhënie”, që i referohet mësuesve të cilët, për arsye psikologjike, nuk duhet të qëndrojnë në klasë.


Megjithatë, në praktikë, këto raste shpesh nuk identifikohen në kohë. Drejtuesit e shkollave hezitojnë të raportojnë problematikat, nga frika e konflikteve ligjore, stigmatizimit ose përgjegjësive personale, duke bërë që ndërhyrjet të ndodhin vetëm pasi situatat përshkallëzohen.


Rasti i Serres, sipas prindërve, ishte paralajmëruar prej kohësh nga probleme të vazhdueshme në funksionimin e shkollës, si mungesa e stafit, orare të paplota dhe ankesa të përsëritura. Pavarësisht këtyre sinjaleve, masa konkrete nuk u morën deri pas ndërhyrjes së drejtësisë. Mësuesja u pezullua nga detyra dhe u dënua me dy vjet burg me kusht për dhunë dhe dëmtim trupor ndaj të miturit.


Sipas legjislacionit aktual, vlerësimi i paaftësisë së një mësuesi kryhet nga komisione shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë. Në rast konstatimi, mësuesi transferohet në detyra administrative dhe rishqyrtohet çdo vit. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se ky mekanizëm funksionon më tepër si reagim pas ngjarjeve dhe jo si mjet parandalimi.


Në këtë kontekst, po shqyrtohet krijimi i një sistemi të ri vlerësimi, i bazuar në analiza klinike të thelluara nga psikologë dhe mjekë specialistë, duke përjashtuar testet standarde psikometrike. Qëllimi është mbështetja dhe identifikimi i hershëm i problemeve, jo ndëshkimi. Gjithashtu, është hedhur ideja që mësuesit që mbeten të papërshtatshëm për mësimdhënie për më shumë se tre vite, të kalojnë përfundimisht në funksione administrative.


Specialistët e fushës së psikologjisë arsimore theksojnë se raste të tilla nuk janë thjesht çështje individuale, por pasojë e stresit të akumuluar, mungesës së mbështetjes institucionale, trajnimit të pamjaftueshëm dhe presionit të vazhdueshëm në ambientet shkollore. Ngjarja e Serres shërben si një alarm i fortë për nevojën e reformave reale që garantojnë sigurinë e nxënësve dhe mirëqenien e mësuesve, përpara se incidentet të përsëriten.

"KORCA BOOM"


bottom of page