top of page

Bllokohet prej disa orësh aksi Elbasan-Qafë Thanë, policia njofton rrugë alternative për qarkullim

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 2 hours ago
  • 1 min read

Një rrëshqitje masive dheu dhe gurësh ka bllokuar të dyja drejtimet e aksit rrugor Elbasan -Qafë Thanë këtë të dielë, në vendin e quajtur Dragostunjë.


Policia Rrugore e Elbasanit ndodhet në vendngjarje sipas njoftimit zyrtar po bashkëpunon me firmën kontraktore për mirëmbajtjen e rrugëve, me qëllim pastrimin e sa më shpejtë të akseve dhe rifillimin e qarkullimit.


Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH gjithashtu njoftoi se menjëherë pas bllokimit është ndërhyrë me mjete për të pastruar rrugën. Drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë në drejtim të Tiranës dhe rretheve të tjera po orientohen të përdorin itinerarin Maliq- Lozhan- Moglicë -Gramsh-Elbasan.


Shembja ka shkaktuar probleme pasi një ambulancë që transportonte një grua me këmbë të thyer u bllokua nga situata.


Gruaja po dërgohej drejt Spitalit të Elbasanit, ndërsa stafi mjekësor ka ndërhyrë duke e nxjerrë me barrelë nga ambulanca dhe duke e kaluar në anën tjetër të rrugës përmes lumit pranë aksit, për të vazhduar transportin dhe për t’i dhënë ndihmën e nevojshme.


Personat e bllokuar prej disa orësh ndodhen në rrugë në të ftohtë. Mes personave të bllokuar janë edhe fëmijë dhe të moshuar dhe pritja për ta po kthehet në makth ndërsa po punohet për hapjen e aksit./ Euronews

“KORÇA BOOM”


bottom of page