top of page

Pagesa mujore për fëmijët deri në 5 vjeç zëvendëson bonusin e njëherëshëm

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 2 hours ago
  • 1 min read

Qeveria ka vendosur një ndryshim të rëndësishëm në mbështetjen financiare për familjet shqiptare që kanë ose presin të kenë fëmijë. Ndryshe nga skema e vitit të kaluar, kur përfitimi ishte një pagesë e vetme, tani pagesa do të jepet mujorisht deri në momentin që fëmija të mbushë 5 vjeç.


Skema e re përshtatet me modelin e Europës kontinentale dhe synon të nxisë familjen dhe mirëqenien e fëmijëve. Për fëmijën e parë, pagesa do të jetë 5 mijë lekë në muaj, për të dytin 7 mijë lekë, ndërsa për të tretin 10 mijë lekë, ose 120 mijë lekë në vit. Kjo e bën totalin e përfituar më të lartë krahasuar me skemën e mëparshme.


Sociologia Erisa Dhamo shprehet se ndryshimi është i rëndësishëm, por thekson se efektiviteti i programit varet nga përqendrimi i ndihmës tek familjet në nevojë. Ajo thotë se pagesat mund të mbulojnë një pjesë të nevojave ushqimore të fëmijëve dhe kanë ndikim më të madh për familjet me të ardhura të ulëta.


Ndryshimi vjen pas një viti ku bonusi i mëparshëm nuk arriti të japë efektin e pritshëm.


Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, gjatë 11 muajve të vitit të kaluar, nga 1.8 miliardë lekë të planifikuara, u shpërndanë vetëm 1.2 miliardë lekë, një pasojë e uljes së numrit të lindjeve.


Skema e re synon të sigurojë mbështetje më të qëndrueshme dhe të ndihmojë familjet shqiptare të përballojnë sfidat ekonomike të jetesës dhe të ushqyerjes së fëmijëve.

"KORCA BOOM"


bottom of page