top of page

ANALIZA/ Kupa e Botës 2026: Cilët janë pretendentët?

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 14 minutes ago
  • 3 min read

Me pak më shumë se gjashtë muaj deri në fillimin e Kupës së Botës 2026 (11 qershor – 19 korrik), favoritët kryesorë nuk janë në të njëjtën forme.


Ja një përmbledhje para shortit të së premtes në Uashington.


Argjentina: kampionia mbi re


Kampionët në fuqi kanë ruajtur vrullin e tyre pas titullit të tyre të tretë në Katar. Fituesit e Copa America në 2024 dhe ende të udhëhequr nga Lionel Messi, bardheblutë kaluan me sukses kualifikueset e Amerikës së Jugut dhe siguruan vendin e tyre në mars.


Fituesi i tetë herë Topit të Artë, qe po shkëlqen në Inter Miami, sigurisht që po e mban pjesëmarrjen e tij në turne paksa misterioze, por është e vështirë të imagjinohet që ai, në moshën 38 vjeç, të humbasë një fitore të fundit në shtetin adoptues.


Spanja: armata e pamposhtur


Kampionët evropianë, të pamposhtur në 31 ndeshje, do ta nisin Kupën e Botës në formën e tyre më të mirë. Por performanca e tyre do të varet në mënyrë të pashmangshme nga ajo e yllit të tyre, Lamine Yamal. Sulmuesi brilant 18-vjeçar është penguar nga dëmtimet në fillim të sezonit, dhe sjellja e tij jashtë fushës ka tërhequr gjithashtu kritika. Pyetja kryesore është nëse ai do të jetë në gjendje të përballojë presionin e madh që e pret në botërorin e tij të pare.

Franca: Les Bleus gati për ndeshjet e fundit të Deschamps


Didier Deschamps do të udhëheqë Les Bleus në turneun e tij të shtatë dhe të fundit ndërkombëtar dhe ka ndërmend mos ta prishë imazhin, pasi e ka mbajtur Francën mes kombeve më të mira për më shumë se 13 vjet.


Duke u kurorëzuar kampionë bote në 2018 dhe finalistë në 2022, trajneri i ekipit kombëtar e ka vendosur standardin shumë lart dhe e di se është nën presion pas një Euro 2024 zhgënjyes për sa i përket performancës, pavarësisht se arriti në gjysmëfinale.


E njëjta gjë do të vlejë edhe për Kylian Mbappé, i cili bëri histori duke shënuar një hat-trick në finalen e 2022. Kapiteni, i cili u be i njohur në arenën ndërkombëtare në vitin 2018, shpreson se rikthimi në kompeticionin e tij të preferuar do të fshijë imazhin e pakëndshëm të lënë nga Kampionati Evropian (një gol nga një penallti).


Anglia: talent në çdo nivel


Finaliste e Euro-2024, vendi i parë europian që siguroi biletën për Amerikën, Anglia shfaqet si një pretendente serioze për fitoren. Tani e drejtuar nga Thomas Tuchel, ajo mund të mbështetet te një grup i shkëlqyer talentesh (Harry Kane, Jude Bellingham, Cole Palmer, Bukayo Saka, Phil Foden, Declan Rice) për të shpresuar të fitojë më në fund një trofe ndërkombëtar që i mungon që nga viti 1966.

Portugalia: shansi i fundit për CR7-n


Portugalia do të jetë një nga pretendentët më të mëdhenj në Kupën e Botës. Me një mori lojtarësh të nivelit të lartë në dispozicion, Roberto Martinez ka arritur korrur sukseset e para me Ligën e Kombeve në vitin 2025.


Për ta shoqëruar siç duhet Cristiano Ronaldon (40 vjeç) drejt largimit, çfarë mund të jetë më mirë se një sukses i parë në Kupën e Botës për një ekip që ka pësuar humbje/ka akumuluar dështime që nga vendi i tretë në 1966?


Gjermania: e pasigurtë


Mannschaft-i, i cili vjen pas dy dështimeve të mëdha në Botëror (eliminime në raundin e parë në 2018 dhe 2022), të padenjë për statusin e tyre si katër herë fitues te këtij kompeticioni, ende nuk e kane gjetur formën e tyre.


Pas humbjeve në shtëpi ndaj Portugalisë (2-1) dhe Francës (2-0) gjatë ‘Final Four’ të Ligës së Kombeve, ata nuk lanë ndonjë pershtypje gjatë fazës kualifikuese, duke dominuar me vështirësi një grup që megjithatë ishte shumë i dobët (Sllovakia, Irlanda e Veriut, Luksemburgu).


Brazili: në dyshim


Mbërritja e Carlo Ancelottit në krye në qershor ende nuk ka transformuar Seleção-n. Pesë herë kampionët e botës, në kërkim të yllit të 6-të që nga 2002, nuk dominojne më në kontinentin e Amerikës së Jugut (eliminim në çerekfinale të Copa America 2024, vendi i 5-të në kualifikimet e zonës Amsud), tejkaluar qartë nga rivali i madh argjentinas.


Ndërsa tekniku prestigjioz italian, i cili do të përjetojë botërorin e tij të parë si trajner në moshën 66-vjeçare, po punon shumë për të krijuar një ekip të denjë për këtë emër, pasiguria rreth gjendjes fizike të Neymar nuk po i sjell qetësi kombëtares braziliane. /ATSH-AFP

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page