top of page

Armand Baze rrëfen historinë prekëse të Filipit: “Fitova konkursin me meritë”

8 hours ago
1 min read

Nga Armand Baze


Filipin e njoha lart, në kodrat e qytetit, në një ditë me shi. Ai po mblidhte bidona dhe qese të hedhura andej-këtej përgjatë rrugës për në Moravë.


“Është gjynah që nuk e mbajnë pastër pyllin”, më pati thënë.


Gjetëm njëri-tjetrin.


Filipi kishte disa vite pa punë, por kërkonte me ngulm të fillonte punë me fëmijët autikë, për të cilët ishte trajnuar. Nuk kishte hequr dorë nga dëshira për të kontribuar në një fushë ku mund të jepte shumë nga vetja.


Një ditë, m'u afrua me një lajm që mezi priste të ma tregonte.


“Do të jap një lajm që e di se do të gëzohesh”, më tha.


Kishte fituar konkursin dhe do të fillonte punë.


“Fitova konkursin me meritë dhe do të filloj”, më tregoi i lumtur. Donte edhe të më qeraste, aq shumë gëzohej për këtë mundësi të re.


Njoftimi i kishte ardhur nga drejtoresha Vinjola Rota, të cilën nuk e njoh, por dua ta falënderoj publikisht për vlerësimin që i ka bërë Filipit.


Mësova se ai ka bërë punë të mirë edhe me uniformat e nxënësve, me synimin që në shkollë të gjithë të jenë njësoj.


Ndonjëherë, një lajm i mirë është shumë më tepër se një vend pune. Është shpërblimi i një pritjeje të gjatë, i këmbënguljes dhe i dëshirës për të qenë i dobishëm për të tjerët.


Gëzohem për Filipin. Shpresoj që kjo të jetë një nisje e mbarë për të dhe që përkushtimi i tij të gjejë gjithmonë vlerësimin që meriton.

“KORÇA BOOM”


bottom of page