top of page

"Luftë" në sheshin 'Skënderbej', policia ndërhyn për shpërndarjen e turmës

6 hours ago
2 min read

Sheshi Skënderbej është kthyer në një tjetër vatër përplasjesh mes policisë dhe protestuesve. Qindra forca policore kanë ndërhyrë për të zbrazur sheshin, duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujëhedhëse, ndërsa demonstruesit janë përgjigjur duke hedhur fishekzjarrë drejt forcave të rendit.


Përplasje të ashpra po zhvillohen mbrëmjen e kësaj të marte në Sheshin Skënderbej, ku policia ka ndërmarrë një operacion me qindra efektivë për të larguar protestuesit nga qendra e Tiranës.


Forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës dhe automjete ujëhedhëse për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit janë përgjigjur duke hedhur fishekzjarrë në drejtim të policisë. Përplasja ka përfshirë një nga hapësirat kryesore publike të kryeqytetit, ku demonstruesit ishin grumbulluar pas disa orësh ndjekjeje në rrugët përreth.


Më herët, policia kishte rrethuar protestuesit në Sheshin Skënderbej dhe kishte ndërhyrë me gaz lotsjellës në momentin kur një pjesë e tyre po tentonte të largohej. Tensionet janë përshkallëzuar më tej me përfshirjen e qindra efektivëve dhe përdorimin e ujëhedhëseve për të zbrazur sheshin.


Përplasjet në Sheshin Skënderbej vijnë pas një mbrëmjeje të tensionuar në disa zona të Tiranës. Fillimisht, policia ndërhyri pranë Kryeministrisë, ku demonstruesit u përplasën me efektivët dhe u shpërndanë me gaz lotsjellës e ujëhedhëse.


Më pas, protestuesit u zhvendosën në disa rrugë të kryeqytetit, përfshirë Rrugën e Durrësit, ndërsa policia i ndoqi me automjete dhe forca në terren. Një numër i madh demonstruesish arriti të grumbullohej sërish në Sheshin Skënderbej, ku ndërhyrja policore solli përplasjet e fundit.


Gjatë ditës së tetë të protestave kundër qeverisë Rama, tensione pati edhe pranë Ministrisë së Arsimit. Atje, disa protestues hodhën gurë drejt policisë, ndërsa efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe ujëhedhëse.


Ndërhyrja masive në Sheshin Skënderbej tregon se përplasjet nuk janë kufizuar më vetëm në zonën përpara Kryeministrisë. Policia po përpiqet të largojë demonstruesit edhe nga sheshi qendror i Tiranës, ndërsa hedhja e fishekzjarrëve nga protestuesit po e mban situatën të tensionuar./ Pamfleti

“KORÇA BOOM”


bottom of page