Arratisje pranë kufirit: Shqiptari i rrezikshëm në kërkim, alarm në Kostur
- Korca Boom
- Aug 18, 2025
- 1 min read
Një 28-vjeçar shqiptar, i dënuar për vepra të rënda penale, është arratisur ditën e sotme nga Spitali i Përgjithshëm i Kosturit, ku ishte shtruar në repartin kirurgjikal.
Sipas autoriteteve greke, i riu ndodhej nën mbikëqyrjen e gardianëve në momentin e arratisjes, por rrethanat mbeten ende të paqarta. Ngjarja ka ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si është realizuar arratisja nga një ambient i siguruar dhe nën vëzhgim të vazhdueshëm.
Policia greke ka dyshime të forta se 28-vjeçari ka pasur bashkëpunëtorë nga jashtë, të cilët kanë ndihmuar në organizimin e largimit të tij. Menjëherë pas alarmit, janë ngritur postblloqe dhe pika kontrolli në të gjitha akset kryesore të zonës së Kosturit, e cila ndodhet pranë kufirit me Shqipërinë.
Forcat policore janë në ndjekje intensive dhe vijojnë hetimet për të zbardhur mekanizmin e arratisjes dhe për të lokalizuar vendndodhjen e të dënuarit.
“KORÇA BOOM”



















