Autoritetet nisin hetimin ndaj 19 personazheve të njohur për përdorim të dyshuar të d*rogës
- Korca Boom
- Oct 8
- 2 min read
Autoritetet turke kanë nisur një hetim ndaj 19 personazheve të njohur të jetës publike, për përdorim të dyshuar të substancave narkotike. Në mesin e emrave të përfshirë janë këngëtare, aktore dhe influencuese të njohura të skenës muzikore, televizive dhe rrjeteve sociale.
Në listën e personave që po hetohen përfshihen emra të njohur si Hadise Açıkgöz dhe İrem Derici, dy prej këngëtareve më të famshme turke, aktoret Demet Evgar dhe Berrak Tüzünataç, si dhe influencueset Duygu Özaslan dhe Derin Talu.
Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit ka konfirmuar nisjen e çështjes në bazë të nenit përkatës të Kodit Penal të Turqisë, që lidhet me përdorimin e substancave narkotike ose stimuluese. Aktualisht nuk ka urdhra arresti për personat e përfshirë, por të gjithë janë thirrur për të dhënë deklarata dhe për t’u nënshtruar testimeve toksikologjike përmes analizave të gjakut.
Operacioni është zhvilluar nga Komanda Provinciale e Xhandarmerisë së Stambollit, e cila ka shoqëruar personazhet publikë në qendra shëndetësore për marrjen e mostrave të gjakut dhe më pas për marrjen e dëshmive në ambientet e autoriteteve.
Përveç emrave të përmendur më lart, në listë janë edhe artistë dhe personalitete të njohura si Ziynet Sali, Kubilay Aka, Kaan Yıldırım, Mert Yazıcıoğlu, Metin Akdülger, Ceren Moray, Özge Özpirinçci, Engin Polat, Dilan Polat, Zeynep Meriç Aral, Birce Akalay, si dhe avokatja Feyza Altun.
Sipas legjislacionit aktual në Turqi, përdorimi personal i drogës nuk dënohet automatikisht me burgim. Në raste të tilla, autoritetet mund të urdhërojnë trajtim mjekësor, rehabilitim apo mbikëqyrje provizore, varësisht nga vlerësimet e ekspertëve dhe vendimet e prokurorisë.
Hetimi është në fazat e tij të hershme dhe do të bazohet kryesisht në rezultatet e testeve toksikologjike dhe procedurat ligjore që do të ndjekin më pas.
“KORÇA BOOM”



















