Azilkërkuesit e refuzuar po kthehen masivisht / Shqipëria mes vendeve me më shumë kthime
- Korca Boom
- Sep 4
- 1 min read
Në Gjermani po rritet presioni për kthimin e azilkërkuesve të refuzuar, dhe të dhënat tregojnë se viti 2025 po shënon një rritje të ndjeshme të dëbimeve krahasuar me vitet e kaluara.
Sipas mediave vendase, vetëm gjatë gjysmës së parë të këtij viti janë dëbuar mbi 12 mijë persona, ndërkohë që në vitin 2024 u regjistruan mbi 20 mijë dëbime, një rekord historik në këtë drejtim.
Në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë është ngritur një strukturë e pavarur për të monitoruar trajtimin e personave që përballen me riatdhesim. Vetëm nga aeroporti i Dyseldorfit, gjatë vitit të kaluar, janë dëbuar mbi 2800 vetë me linja ajrore.
Personat e dëbuar janë kryesisht ata që u është refuzuar kërkesa për azil ose që nuk kanë më të drejtë ligjore për të qëndruar në territorin gjerman.
Statistikat tregojnë se vetëm në vitin 2024, nga Gjermania në Shqipëri janë kthyer mbi 1000 persona, rreth 1400 në Maqedoninë e Veriut dhe mbi 1800 në Gjeorgji.
Megjithatë, ka edhe raste që po ngjallin shqetësim dhe debat publik. Një ndër to është dëbimi i një fëmije që sapo kishte kaluar një ndërhyrje kirurgjikale në zemër. Kthimi i tij u bë pa përfunduar ekzaminimet pas operacionit, të rekomanduara nga mjekët.
Ky rast ka nxitur kritika të forta nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe ka shtuar thirrjet për më shumë ndjeshmëri dhe monitorim në zbatimin e politikës së dëbimeve.
Ekspertët kërkojnë që procesi të respektojë standardet ligjore dhe humane, dhe të mos zbatohet në mënyrë automatike ndaj individëve në gjendje të rënduar shëndetësore apo sociale.
“KORÇA BOOM”



















