top of page

Lajm i mirë për emigrantët, çfarë përfitojnë shqiptarët nga paketa greke

  • Apr 22
  • 2 min read

Qeveria greke ka njoftuar një paketë të re masash ekonomike me qëllim lehtësimin e kostos së jetesës dhe mbështetjen e familjeve, pensionistëve dhe sektorëve të ndryshëm të ekonomisë. Nga këto masa pritet të përfitojnë edhe mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi.


Një nga masat kryesore është zgjatja e subvencionimit të naftës (diesel) me 20 cent për litër deri në muajin maj, duke ndihmuar si konsumatorët, ashtu edhe bizneset.


Në sektorin bujqësor, subvencionimi i plehrave kimike me 15% të vlerës së faturës do të vazhdojë deri në muajin gusht, me qëllim mbështetjen e fermerëve dhe stabilizimin e kostove të prodhimit.


Pjesë e paketës është edhe një ndihmë financiare prej 150 euro për çdo fëmijë në familjet përfituese, e cila do të shpërndahet në fund të qershorit pa nevojë aplikimi. Sipas të dhënave zyrtare, kjo masë pritet të prekë rreth 1 milion familje.


Për pensionistët me të ardhura të ulëta, të moshuarit pa sigurim dhe personat me aftësi të kufizuara, parashikohet një mbështetje prej 300 eurosh, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për shtresat më të ndjeshme.


Gjithashtu, zgjerohet skema e rimbursimit të qirasë, duke përfshirë më shumë familje dhe duke mbështetur mbi 1 milion qiramarrës në të gjithë vendin.


Masat prekin edhe borxhet private, ku parashikohen lehtësime të rëndësishme:


  • hiqet bllokimi i llogarisë bankare nëse është shlyer 25% e detyrimit dhe janë rregulluar detyrimet e tjera;


  • përfshihen në mekanizmin jashtëgjyqësor edhe borxhet nga 5.000 deri në 10.000 euro;


  • borxhet e krijuara deri në dhjetor 2023 mund të shlyhen deri në 72 këste.


Qeveria greke thekson se këto masa synojnë të mbështesin shtresat më të prekura nga rritja e kostos së jetesës dhe të ruajnë stabilitetin ekonomik të vendit.


Sipas kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, paketa financiare vjen si rezultat i një teprice buxhetore të krijuar nga performanca më e mirë se sa pritej e ekonomisë, si dhe nga politika fiskale e kujdesshme dhe lufta ndaj evazionit fiskal.


Ai theksoi se, pavarësisht sfidave ndërkombëtare dhe rritjes së çmimeve, këto ndërhyrje synojnë të kthejnë përfitimet e rritjes ekonomike tek qytetarët, pa rrezikuar stabilitetin financiar të vendit.


Paketa pritet të ndikojë drejtpërdrejt në miliona familje, përfshirë edhe emigrantët shqiptarë të integruar në tregun e punës dhe sistemin social grek.

“KORÇA BOOM”


bottom of page