Besnik L. Caka sjell tregimin historik “Ura e Kasabashit”/ Kur ura bëhet kujtim përjetësie
- Aug 19, 2025
- 3 min read

Ura e Kasabashit(Tregim)
Kuajt ishin të lodhur, por më tepër se lodhja, ishte frika prej lumit të fryrë si rrallëherë atë pranvere të vitit 1639, që i bënte të mos hidhnin asnjë këmbë më tej...
Arkitekt Kasëmi, që ishte diku në mes të karvanit, u nervozua nga kjo ndalesë e pakuptimtë, tani që ishte vetëm pak orë larg shtëpisë stërgjyshore, në Skraparin e tij. Për më tepër që sapo e kishin bërë një ndalesë në burimin e famshëm të Guakut, vetëm disa qindra metra më poshtë.
Një nga asqerët e shumtë që e shoqëronte, nxitoi t’i shpjegonte arsyen e ndalesës...
Gjithaq i nervozuar, u hodh prej karrocës dhe e bëri në këmbë atë copë rrugë, deri në krye të karvanit. Vështroi një grimë lumin, por vetëm një grimë. Më pas mbërtheu sytë në shpatin e malit përballë, në këmbët e të cilit shtrihej vendlindja e tij, dhe u përhumb...
Askush s’merrte guximin t’i afrohej. Ata që i rrinin pranë prej kaq vitesh tashmë, e dinin se në raste të tilla ishte më e udhës të heshtje, të heshtje sikur të mos ekzistoje... Ndryshe, do përballje zemërimin e pamëshirshëm të arkitektit, i cili nuk lejonte askënd t’ia prishte çastet e tilla, kur në trurin e tij sapo niste të gatuhej diçka e re, që për momentin, i përkiste vetëm atij dhe askujt tjetër...
Gjithandej Perandorisë vazhdonin të tregonin se si arkitekt Kasëmi, në një përhumbje të tillë, kishte lënë pa përgjigje dhe vetë Padishahun, për pyetjen e përsëritur plot tri herë prej Tij... Dhe kur të gjithë kishin pritur gjëmimin e sigurt të Muratit IV, ky i fundit i kishte zhgënjyer, duke pritur i qetë dhe në heshtje kthjellimin e mjeshtrit të tij të preferuar...
Kur vështrimi i arkitektit ra sërish në lumë, dikush guxoi t’i afrohej. I tha se kalimi i lumit ishte i mundur, ndoshta, dyqind metra më lart, ku asqerët kishin vënë re, ndërkohë, që shtrati i tij zgjerohej dukshëm dhe...
– Të ngrihen çadrat!
Urdhëri i tij i befasoi të gjithë.
Ishte e qartë se ai as që kishte dëgjuar çfarë i ishte thënë, lidhur me mundësinë e kapërcimit të lumit diku më lart.
Në mendje kishte diçka tjetër...
Kishte ende ditë për të vëzhguar me kujdes rrjedhën dhe shtratin e lumit. Ndërsa mjeshtri ishte duke bërë këtë gjë, dy-tre njerëz afër tij mbanin vazhdimisht shënime, duke i shoqëruar ato, herë pas here, me skica të hedhura në nxitim e sipër.
Si të kishte kuptuar idenë e rishtarit, lumi dukej sikur në çast ishte mpakur e bërë më pak i zhurmshëm. E ndjente se këtë herë kishte rënë në usta të vërtetë...
Tashmë jo vetëm njerëzit pranë arkitektit, por dhe të tjerët e kishin kuptuar vendimin e tij: ai do të ndërtonte këtu një urë. Një urë që, kur bashkëfshatarët e tij të shkonin e vinin nga pazari, në Korçë a Berat, të mos i nënshtroheshin më tekave të këtij "palo lumi", siç e quajti ai...
Në të ngrysur, i mblodhi shënimet e skicat dhe dha urdhër për ndriçim e zjarr në çadrën e tij.
Kryeshërbëtorit i tha të mos dilte nga çadra, se zjarri dhe drita s’duhej të mungonin për asnjë çast, tërë natën...
Të nesërmen lumi u gdhi i tulatur...
Teksa karvani bëhej gati të hidhej përtej, arkitekti i pagjumë thirri në çadër kryeustain e vet. I la një tufë skicash në dorë, pa qenë nevoja të sqaronte gjë me fjalë. Ustai e dinte ç’duhej të bënte tani me to...
I tha vetëm se, kur të kthehej, karvani do të kalonte mbi urë, edhe po të mos ishte nevoja...
Kryeustai fshehu sakaq një vështrim pyetës (që instinktivisht iu drejtua syve të arkitektit të Perandorisë), duke ulur menjëherë sytë...
Nuk kishte vend për pyetje, ura do të ngrihej për aq ditë sa arkitekti do të qëndronte në vendlindje: për vetëm dhjetë ditë!
Më 26 mars 1639, ekzaktësisht dhjetë ditë më pas, tek kthehej prej vendlindjes, arkitekt Kasëmi dalloi prej së largu krijesën e vet...
Lumi e kishte pranuar në heshtje pushtetin e urës, duke rrjedhur qetë e pa zhurmë poshtë këmbëve të saj. Ndonëse kuajt do kishin dashur të freskoheshin, duke i kaluar lumit të nënshtruar mes për mes, karvani e pa veten mbi shpinën e saj...
Teksa dëgjonte zhurmën e rrotave të karrocës mbi urë, ai që kishte ndërtuar sa e sa vepra të famshme gjithandej, çuditej me ndjesinë e pazakontë që po i shkaktonin njëzet e gjashtë metrat e kësaj ure, në atë cep të largët të Perandorisë...
“KORÇA BOOM”
















