top of page

Borë në maj dhe temperatura -1°C, Greqia “kthehet” në dimër

  • 3 days ago
  • 1 min read

Greqia po përjeton një situatë të pazakontë për këtë periudhë, teksa fillimi i majit ka sjellë kushte tipike dimërore në disa zona të vendit. Reshjet e dëborës kanë mbuluar zonat malore, ndërsa shiu dhe erërat e forta kanë përfshirë pjesë të tjera, veçanërisht në Egje.


Në malin Parnitha, bora ka sjellë ndërprerje të trafikut të automjeteve që nga lartësia e teleferikut, duke krijuar një pamje që i ngjan më shumë janarit sesa pranverës. E njëjta situatë paraqitet edhe në Parnassos, ku rrugët dhe pemët janë mbuluar plotësisht nga dëbora.


Kushtet dimërore janë shënuar edhe në rajonin e Akaias, ku qendra e skive në Kalavrita, ndonëse e mbyllur, është mbuluar nga dëbora. Temperaturat në këto zona kanë zbritur deri në -1°C, duke surprizuar vizitorët që kishin zgjedhur të kalonin fundjavën në natyrë.


Reshje dëbore janë regjistruar edhe në Ziria, në malin e Korinthit, ku rrugët janë bërë të rrëshqitshme dhe në disa segmente kërkohet përdorimi i zinxhirëve. Autoritetet në Peloponez kanë ndërhyrë për hapjen e rrugëve dhe hedhjen e kripës për të lehtësuar qarkullimin.


Ndërkohë, edhe në Pelion temperaturat kanë rënë në 0°C, ndërsa në zonat më të larta të Kretës, drejt Hania-s dhe resorteve malore, drejtuesit e mjeteve këshillohen të lëvizin me kujdes dhe të jenë të pajisur me zinxhirë dëbore.


Sipas parashikimeve, kjo situatë nuk do të zgjasë gjatë. Duke nisur nga ditët në vijim, moti pritet të përmirësohet ndjeshëm, me temperatura që do të rriten gradualisht dhe mund të arrijnë deri në 27°C gjatë javës, duke rikthyer normalitetin pranveror.

"KORÇA BOOM"


bottom of page