top of page

Brohoritje raciste në Maqedoni: Nis hetimi për gjuhën e urrejtjes kundër shqiptarëve

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Aug 4
  • 1 min read

Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka nisur hetimet për thirrjet me gjuhë urrejtjeje të dëgjuara gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë më 2 gusht. Kore si “shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, “dhoma gazi për shqiptarët” dhe “Maqedoni e pastër” janë dënuar gjerësisht nga politikanë në Maqedoni të Veriut, Shqipëri dhe Kosovë.


Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta, për shkak se në sallë ishin të pranishëm edhe zyrtarë të lartë shtetërorë, përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski, i cili dënoi gjuhën e urrejtjes, por tha se “nuk i kishte dëgjuar” brohoritjet.


Reagime kanë ardhur nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, nga Kuvendi dhe diplomacia shqiptare, si dhe nga partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që kërkojnë hetim të thelluar dhe ndëshkim të autorëve.


Kodi Penal i Maqedonisë parashikon burgim deri në pesë vjet për nxitje të urrejtjes etnike apo racore. Politikanët shqiptarë në rajon e kanë cilësuar incidentin si “kthim prapa në retorikën e urrejtjes” dhe kanë kërkuar përfshirje të faktorit ndërkombëtar në monitorimin e rasteve të tilla.

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page