ChatGPT hyn në shkolla, ja si do ta përdorin mësuesit dhe nxënësit inteligjencën artificiale
Inteligjenca artificiale bëhet pjesë e sistemit parauniversitar në Shqipëri. Në vitin e ri shkollor, mësuesit dhe nxënësit do të mund të përdorin mjete të IA-së në procesin mësimor, me synimin që teknologjia të mbështesë aftësitë njerëzore dhe jo t’i zëvendësojë ato.
Ministria e Arsimit ka hartuar një udhëzues të posaçëm për përdorimin e inteligjencës artificiale në shkolla, ku përfshihen mjete si ChatGPT, Gemini, Perplexity dhe platforma të tjera. Dokumenti përcakton mënyrat se si këto teknologji mund të përdoren në funksion të mësimdhënies dhe të nxënit.
Sipas udhëzuesit, mësuesit mund të përdorin inteligjencën artificiale për përgatitjen e materialeve mësimore, krijimin e ushtrimeve, pyetjeve dhe testeve, si dhe për të ndihmuar në vlerësimin e nxënësve në fusha të ndryshme.
Përdorimi i IA-së mund të shtrihet në një gamë të gjerë lëndësh, nga gjuha shqipe dhe gjuhët e huaja, te matematika, artet dhe edukimi fizik.
Teknologjia mund të shërbejë gjithashtu për përkthimin e teksteve dhe korrigjimin e gabimeve gjuhësore. Udhëzuesi ofron edhe shembuj konkretë se si mësuesit mund të formulojnë kërkesa për inteligjencën artificiale gjatë planifikimit të një ore mësimore, duke përcaktuar temën, lëndën, klasën dhe objektivat e mësimit.
Një tjetër mundësi është përshtatja e materialeve sipas nevojave të nxënësve. IA mund të ndihmojë në krijimin e detyrave me nivele të ndryshme vështirësie, në thjeshtimin e shpjegimeve, në përgatitjen e ushtrimeve shtesë për nxënësit që kanë nevojë për më shumë mbështetje, si dhe në krijimin e sfidave më të avancuara për nxënësit që përparojnë më shpejt.
Edhe nxënësit orientohen ta përdorin inteligjencën artificiale në mënyrë të përgjegjshme, për kërkimin e informacionit, realizimin e projekteve dhe zhvillimin e kreativitetit.
Megjithatë, përdorimi i kësaj teknologjie sjell edhe sfida. Në udhëzues theksohen rreziqet që lidhen me dezinformimin, varësinë digjitale, cenimin e privatësisë dhe përdorimin joetik të përmbajtjeve të gjeneruara nga IA.
Për këtë arsye, një rëndësi e veçantë i kushtohet verifikimit të informacionit të prodhuar nga inteligjenca artificiale dhe mbrojtjes së të dhënave personale.
Në të gjithë këtë proces, mësuesi ruan rolin vendimmarrës. Inteligjenca artificiale shihet si një mjet ndihmës në procesin arsimor, ndërsa përgjegjësia për përdorimin dhe vlerësimin e informacionit mbetet te njeriu.
“KORÇA BOOM”
















