I arrestuari shkatërron kamerën dhe orenditë në Komisariat, pezullohen tre efektivë policie
Tre punonjës policie janë pezulluar nga detyra në Sarandë, pasi një person i arrestuar shkaktoi dëme në ambientet e dhomave të ndalimit të komisariatit.
Sipas njoftimit të Policisë së Vlorës, shtetasi D. S. ishte arrestuar në zbatim të një vendimi gjykate për disa vepra penale dhe ishte vendosur në ambientet e ndalimit.
Gjatë qëndrimit në komisariat, i arrestuari ka shfaqur shenja të një gjendjeje të rënduar emocionale dhe sjellje agresive. Në këto rrethana, ai ka dëmtuar kamerën e sigurisë, tavanin e dhomës, si dhe një karrige dhe një tavolinë.
Pas incidentit është njoftuar urgjenca e spitalit dhe D. S. ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Për rastin është vënë në dijeni edhe Prokuroria dhe janë kryer veprimet procedurale përkatëse.
Ngjarja ka sjellë ndërkohë masa edhe ndaj punonjësve të policisë që ndodheshin në detyrë. Tre efektivë janë pezulluar, pasi sipas Policisë nuk kanë reaguar në momentin kur i arrestuari po dëmtonte kamerën dhe orenditë brenda dhomës së ndalimit.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka nisur verifikimet për të përcaktuar rrethanat e plota të incidentit dhe përgjegjësitë e punonjësve të përfshirë.
Paralelisht, në bashkëpunim me Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, ka nisur procedura disiplinore ndaj tre efektivëve të pezulluar nga detyra.
“KORÇA BOOM”
















