top of page

Dalin detaje të reja nga ngjarja që tronditi Elbasanin, hetuesit rindërtojnë skenarin

  • Aug 15
  • 1 min read

Detaje të reja janë zbardhur nga incidenti i rëndë me armë zjarri i regjistruar mesditën e kësaj të shtune në një lokal në Elbasan, ku një person dyshohet se tentoi të qëllonte me armë një tjetër.


Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, Ermir Bitoci ndodhej fillimisht brenda lokalit. Pas disa minutash, ai është ngritur nga tavolina dhe ka dalë jashtë.


Lëvizjet e tij dyshohet se janë ndjekur nga një tjetër person, i cili ndodhej në lokal duke konsumuar kafe në shoqërinë e një gruaje. Menjëherë pasi Bitoci ka dalë, edhe personi tjetër është larguar dhe e ka ndjekur.


Pamjet tregojnë se jashtë lokalit, personi me bluzë të bardhë i është afruar Bitocit nga pas dhe i ka drejtuar një armë zjarri në pjesën e pasme të kokës.


Bitoci ka reaguar menjëherë dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke shmangur përplasjen.


Një nga pistat që po verifikohet nga grupi hetimor është edhe dyshimi se arma mund të jetë bllokuar në momentin kur autori ka tentuar të qëllojë. Kjo rrethanë pritet të përcaktohet përmes ekspertizës balistike.


Policia po merr dëshmitë e personave që ndodheshin në lokal, ndërsa pamjet e kamerave po analizohen për të rindërtuar të gjithë dinamikën e ngjarjes.


Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse personi i dyshuar e ka ndjekur qëllimisht Bitocin, si dhe motivin e këtij episodi.


Ermir Bitoci është një emër i njohur në Elbasan dhe ndër vite është përmendur në episode të periudhës 1997–2000, ndërsa më pas ka jetuar kryesisht jashtë vendit.


Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“KORÇA BOOM”


bottom of page