Demo: Nga 1 janari ulen tarifat e pasaportave dhe kartave të identitetit, për disa kategori
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka firmosur urdhrin për uljen e tarifave të pajisjes me pasaporta dhe karta identiteti për disa kategori qytetarësh.
Vendimi do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027 dhe parashikon lehtësira për fëmijët nën 16 vjeç, personat me aftësi të kufizuara dhe qytetarët mbi 65 vjeç.
Sipas vendimit, për fëmijët nën 16 vjeç, tarifa e pasaportës do të ulet nga 7,500 në 6,000 lekë.
Ndërkohë, për personat me aftësi të kufizuara, karta e identitetit do të kushtojë 1,000 lekë, nga 1,500 lekë që është aktualisht, ndërsa tarifa e pasaportës do të ulet në 6,000 lekë.
Lehtësi do të ketë edhe për qytetarët mbi 65 vjeç, të cilët do të paguajnë 1,000 lekë për kartën e identitetit, nga 1,500 lekë që paguajnë aktualisht.
Ministri Demo e cilësoi vendimin si përmbushje të një angazhimi të bërë më herët, gjatë një daljeje publike më 2 tetor, duke theksuar se ulja e kostove duhet të shoqërohet edhe me përmirësimin e shërbimeve publike.
“Për shumë familje, çdo shpenzim ka rëndësi. Prandaj është detyra jonë t’ua lehtësojmë marrjen e shërbimeve publike. Por dua të jem i qartë: qytetarët duhet të paguajnë më pak dhe të shërbehen më mirë!”, u shpreh Demo.
Kreu i Ministrisë së Brendshme theksoi se kjo nismë është pjesë e një angazhimi më të gjerë për ofrimin e shërbimeve më të shpejta, reduktimin e burokracive dhe rritjen e kujdesit ndaj qytetarëve. Ai bëri të ditur gjithashtu se do të ndjekë personalisht zbatimin e vendimit.
“KORÇA BOOM”
















