U kualifikuan në turin e tretë të Kupës së Shqipërisë, Skënderbeu dhe Laçi përballë 2 gjigantëve të kryeqytetit në raundin tjetër
Skënderbeu dhe Laçi kanë siguruar biletën për në turin e tretë të Kupës së Shqipërisë, pas fitoreve të arritura ditën e sotme përkatësisht ndaj Apolonisë dhe Shirokës. Por skuadrat tashmë e dinë se përpara i presin dy sfida të vështira, pasi janë përcaktuar edhe kundërshtarët e radhës.
Sipas skemës së paracaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, në këtë fazë të kompeticionit do të hyjnë në garë edhe tetë skuadrat e para të Superiores nga sezoni i kaluar. Ato do të kenë avantazhin e të luajturit në shtëpi, ndërsa kualifikimi do të vendoset në vetëm një ndeshje.
Kështu, Skënderbeut i ka rezervuar shorti një përballje me Partizanin, në një transfertë të vështirë në kryeqytet. Nga ana tjetër, Laçi do të sfidojë Tiranën, gjithashtu në fushën e bardhebluve.
Dy duele që premtojnë emocione dhe që do të vendosin se kush do të vazhdojë rrugëtimin drejt trofeut të Kupës së Shqipërisë.
Sipas kalendarit të FSHF-së, ndeshjet e turit të tretë janë programuar të zhvillohen në janar të vitit 2027.
“KORÇA BOOM”
















