top of page

Denoncimet e nxënëseve për ngacmime, kolegu i 35-vjeçarit habit me deklaratën e tij

1 day ago
1 min read

Shtatë nxënëse të shkollës së bashkuar “Hajredin Beqari” në Selenicë kanë denoncuar në polici mësuesin e edukimit fizik, duke ngritur akuza për ngacmime seksuale dhe sjellje të papërshtatshme në ambientet e shkollës.


Pas denoncimeve, Policia e Vlorës ka shoqëruar 35-vjeçarin Albano Ameti, i cili prej rreth dy muajsh ishte pjesë e stafit pedagogjik të këtij institucioni arsimor.


Nxënëset që kanë bërë kallëzimin janë të moshave 14 deri në 17 vjeçe. Sipas dëshmive të mbledhura, disa prej tyre janë paraqitur në ambientet e Policisë së Vlorës, ku janë marrë në pyetje nga grupi hetimor për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.


Rastin e kanë komentuar edhe nxënës të tjerë të shkollës, të cilët kanë treguar se kishin dëgjuar për pretendimet e ngritura ndaj mësuesit. Njëri prej tyre është shprehur se mësuesi i ngacmonte vajzat me fjalë, duke përdorur shprehje si: “Hajde te lali zemra”.


Edhe prindër të nxënëseve kanë deklaruar se kanë dëgjuar për pretendime mbi sjellje të papërshtatshme të mësuesit ndaj vajzave, përfshirë ngacmime dhe prekje fizike.


Nga ana tjetër, kolegu i tij, mësuesi Dritan Gargaj, i cili thotë se e njihte prej rreth dy muajsh, është shprehur se nuk beson që ai mund të ketë kryer veprime të tilla.


Policia e Vlorës po vijon hetimet për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.


Autorësia dhe vërtetësia e pretendimeve mbeten për t'u përcaktuar nga hetimet dhe organet e drejtësisë.

“KORÇA BOOM”


bottom of page