Devolli nuk ndalet, një tjetër përforcim me “firmë” korçare
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 1 min read
Devolli nuk ndalet në merkato dhe bën një tjetër afrim të rëndësishëm në radhët e veta. Bëhet fjalë për një ish-futbollist të Skënderbeut, një nga talentet e dala nga akademia korçare. Mesfushori Rigels Hasa pritet të jetë pjesë e skuadrës devollite në vazhdim.
Në fakt, Hasa nuk është i panjohur për këtë ekip, pasi ai ka luajtur me Devollin dy vite më parë, ku u shqua si golashënuesi më i mirë i kësaj kategorie. Më pas, mesfushori u transferua te Pogradeci dhe më vonë te Skënderbeu, ku vijoi rritjen e tij si futbollist.
Duke qenë se te korçarët hapësirat për aktivizim janë të kufizuara, lojtari dhe klubi kanë vendosur t’i japin minuta dhe vazhdimësi talentit, duke e huazuar atë te Devolli.
Sipas drejtorit sportiv, Gjergji Xhango, zyrtarizimi i këtij afrimi pritet të bëhet ditën e hënë, pasi procedurat e huazimit janë drejt përfundimit dhe gjithçka është gati.
Afrimi i një mesfushori me këto cilësi dhe eksperiencë pritet t’i japë edhe më shumë frymëmarrje lojës së Devollit, duke rritur konkurrencën dhe forcën e repartit të mesfushës në objektivat e skuadrës për vazhdimësinë e sezonit.
"KORCA BOOM"



















